MAShT-i shpenzoi për libra 1.9 milionë euro më shumë sesa parashihte ligji

6 Janar, 2020 - 9:45 am

Edhe pse në Ligjin për buxhet të vitit 2018 ishte paraparë që për projektin “Blerja e librave” të shpenzoheshin 5.6 milionë euro, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në fund të vitit 2018 për këtë projekt ka shpenzuar 7.5 milionë euro, apo 1.9 milionë euro më shumë sesa parashihte ligji.

Këtë e ka evidencuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të performancës “Korniza afatmesme e shpenzimeve 2018-2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”, të publikuar ditë më parë, shkruan “Koha Ditore”.

Sipas raportit, në kërkesën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) që e ka përgatitur MASHT-i, për këtë objektivë strategjike ishte planifikuar buxhet nga kategoria investime kapitale në vlerë prej 3.6 milionë eurosh, si dhe është bërë kërkesë shtesë në KASH për hartimin e teksteve të reja në vlerë prej 7.5 milionë eurosh.

“Në fund të vitit 2018, shpenzimet për këtë projekt ishin në vlerë prej 7.5 milionë eurosh, afërsisht 1.9 milionë euro më shumë sesa buxheti i aprovuar në ligj. Buxheti shtesë është aprovuar përmes vendimeve të Qeverisë. Nuk janë shpjeguar arsyet e mosaprovimit me kohë të kërkesës për buxhet shtesë në kërkesën fillestare të KASH nga MASHT-i, dhe nuk kemi dëshmi të mjaftueshme mbi analizat të cilat kanë bërë që të aprovohet buxhet prej 5.6 milionë eurosh në Ligjin për buxhet 2018 për këtë prioritet”, thuhet në raport. /KultPlus.com

Të ngjajshme