Mbahet “Blu European Festival”, nxit diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike

23 Shkurt, 2021 - 1:44 pm

Bashkia e qytetit bregdetar të Durrësit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit dhe Peshkimit kanë organizuar festivalin “Blu European Festival”.

Ky festival i nisur në 22 shkurt mbaron  në 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit.

“Ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë” është shprehur në çeljen e këtij festivali  kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Kryebashkiakja Sako deklaroi gjithashtu se “Turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt”.

Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako që gjithashtu ishte prezent në këtë event deklaroi se: “Ky festival synon të ktheje turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare”.

Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi. /atsh / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme