займ на карту онлайн потребительский кредит

Mbahet dita e parë e trajnimit të gazetarëve mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

28 Nëntor, 2020 - 7:18 pm

Gazetare Suada Qorraj

Fotografitë Nok Selmani

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery gjatë ditës së sotme është mbajtur dita e parë e trajnimit për gazetarë mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky trajnim ka për synim rritjen e të drejtave kundrejt këtyre komuniteteve, shkruan KultPlus.

Në këtë trajnim i cili është edhe një nga projektet e KultPlus, pjesëmarrësit patën mundësinë që të njoftohen me gjendjen e mediave dhe raportimin që bëjnë këto media lidhur me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Në ditën e parë u bë njoftimi me rregullat dhe etikën që duhet ndjekur gjatë këtyre raportimeve si dhe shkeljeve të shumta që janë bërë deri më sot.

Kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti u shpreh se projekti i cili ka filluar të implementohet që në muajin maj është një përvojë dhe shembull për mediat tjera se si duhet të nxirren rrëfime jo vetëm nga komunitetet pakicë, por edhe gjithë shoqërinë në përgjithësi.

“Projekti që kemi realizuar prej majit e deri më tash, me një qasje pa i prezantuar si viktima, persona të ndryshëm nga komuniteti rom, egjiptian dhe ashkali ka qenë një përvojë dhe një shembull edhe për mediet tjera se si mund të nxjerrim rrëfime model jo vetëm për komunitetet pakicë por për shoqërinë në përgjithësi. Mediet, dhe jo vetëm mediet duhet të kenë parasysh që komunitetin pakicë nuk duhet ta trajtojmë as me përkëdhelje por as me sforcim, por të paraqesin gjendjen e tyre në mënyrën më të rrjedhshme, duke respektuar etikën e gazetarisë”, ka thënë Pajaziti.

Ajo ka shtuar se rrëfimet e publikuara deri më sot kanë dëshmuar se në vend ka shumë persona të rëndësishëm nga komunitetet që kanë bërë një punë të madhe për të dëshmuar vetën e tyre.

“Rrëfimet që kemi nxjerrë deri më tani kanë treguar se kemi shumë persona të rëndësishëm nga komuniteti pakicë që kanë bërë shumë për komunitetin e tyre duke dëshmuar se vetëm me punë mund të jesh i barabartë në çdo fushë të cilës edhe i takojnë këto profile”, ka përfunduar kryeredaktorja.

Ndërkaq Imer Mushkolaj, ligjëruesi kryesor i këtij trajnimi tha se kjo ditë ishte mjaft interesante. Sipas tij asnjëherë nuk është mjaftueshëm të flasim për komunitetet pakicë, e sidomos në rastet kur në media është problematike mënyra e qasjes së tyre kundrejt këtyre temave.

“Ishte ditë interesante për shkak se folëm për gjëra interesante. Nuk është asnjëherë e mjaftueshme me folë për komunitetet, sidomos komunitetet jo shumicë me idenë që mediat dhe gazetarët kanë probleme me mënyrën qysh ju qasen. Ndonjëherë edhe pa vetëdije dhe për këtë shkak, pra është e rëndësishme të diskutohet edhe të shihet se cilat janë mënyrat më të mira që këto komunitete me u trajtu në mënyrë të barabartë sikurse edhe pjesëtarët e komuniteti shumicë në kohën ose në rastet kur raportojmë për ta”, tha Mushkolaj.

Ai ka shtuar se hapësira që u kushtohet komuniteteve pakicë kryesisht fokusohet tek rastet që kanë të bëjnë me krimin, kronikën e zezë si dhe rastet sociale. Sipas tij në media ekziston një hapësirë shumë e vogël që u kushtohet arritjeve te pjesëtareve të komuniteteve pakicë.

“Për fat të keq hapësira që ju ofrohet është më shumë e fokusuar tek rastet që kanë të bëjnë me krimin, kronikën e zezë dhe me rastet sociale, po pak i jepet hapësirë asaj anës tjetër të pjesëtareve të komuniteteve që ka të bëjë me anën e “ndritshme”(ta themi në thonjëza), kryesisht më pjesëtaret e komuniteteve që kanë arrit diçka në jetë, që janë student të zotët, mjek të zotët apo edhe artist, e kjo është e rëndësishme të publikohet në mediat tona, që të mos krijohet përshtypja tek publiku se jeta e këtyre komuniteteve është vetëm bardh e zi”, shtoi tutje Imer Mushkolaj.

Kurse njëra nga pjesëmarrëset e këtij trajnimi, Edona Shala tha se përgjatë këtyre dy ditëve pret të mësoj më tepër rreth raportimit korrekt për komunitete të cilat janë të margjinalizuara. Ajo ka shtuar se synon të aftësohet që t’ju ikë raportimeve të zakonshme steriotipizuese që bëhen kundrejt pjesëtareve të komuniteteve pakicë.

“Unë prej këtij trajnimi pres të mësoj më shumë për të drejtat e komuniteteve dhe si të raportoj korrekt për këto komunitete të cilat janë të margjinalizuara. Gjithashtu pres të aftësohem se si të mos bëjë stigmatizim dhe të mos paraqes stereotipet e zakonshme që paraqiten gjithmonë në shumicën e mediave”, tha ajo.

Tutje Shala ka shtuar se paraqitja e komuniteteve në media nuk fokusohet në të dy anët e medaljes, duke e mënjanuar tregimin e storieve të suksesit për këto komunitete.

Trajnimi do të vazhdoj edhe gjatë ditës së nesërme  dhe pas përfundimit të këtij trajnimi gazetarët pjesëmarrës do të realizojnë nga një artikull për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ./ KultPlus.com

Të ngjajshme