Mbështetja nga IPARD, pika agroturistike në Klos në tokat e të parëve

14 Nëntor, 2022 - 9:13 am

Në Gur i Bardhë, në Klos, në madhështinë e peizazhit malor, është ringritur me mbështetjen e programit IPARD, pika agroturistike “te Mulliri”.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ndau në rrjetet sociale foto nga kjo bujtinë e re agroturistike, teksa tha “ringritja e shtëpisë në tokat e të parëve, ishte thirrja e Avniut për t’u zhvendosur në Shqipëri nga Anglia, vend ku emigroi për vite me radhë”.

“Vendimmarrja nuk ishte e lehtë, por pas vënies në jetë të projektit, në retrospektivë, thotë se ka marrë vendimin e duhur”, u shpreh ministrja.

Krifca tha se, bujtina e kthyer në pikë agroturistike ka punësuar të rinj të zonës dhe bashkëpunon me fermerët për sigurimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore, që janë mjaft të kërkuara nga vizitorët.

“Stafin e angazhuar në bujtinë e ka nga vendi i arrave Gurabardha, siç i thonë vendalitë, të cilët punojnë me dëshirën për ta parë të suksesshëm aktivitetin e këtij sipërmarrësi që ka vendosur të shërbejë si magnet për vizitorë e të rigjallërojë fshatin”, tha ministrja.

Krifca theksoi se, investimi është mbështetur nga Programi IPARD dhe synon pikërisht rritjen e fuqisë ekonomike në fshat duke diversifikuar ekonominë bujqësore, duke nxitur prodhimin vendas, produktet tradicionale dhe duke promovuar natyrën e rrallë.

Bashkia Klos përmes këtyre sipërmarrjeve, fton turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë  Gurin e Bardhë, si një destinacion i preferuar turistik që ofron pamje madhështore.

Gur i Bardhë, është nga më të bukurat që ka zona, për ujin, ngjyrat e natyrës që kompozohen bukur në peizazhin malor të Klosit.

Në fshatin Guri i Bardhë ndodhet vendi i quajtur “Gurrat”, aty ku uji është simbol i këtij vendi. Guri i Bardh është i klasifikuar në 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë dhe përbën një vend që ia vlen për t’u vizituar.

Në këtë fshat ndodhet Kalaja e Petralbës e cila gjendet poshtë në pjesën e poshtme të fshatit Guri i Bardhë dhe përmbi fshatin Fshat, ku madhështisë së të shkuarës i bashkohen kullat që janë një pasuri e madhe e trashëgimisë së Klosit.

Guri i Bardhë ndodhet 9 km nga Klosi dhe rruga ofron pamje malore fantastike, një ballkon ku sheh përreth male, kulla të bardha, traditë mikpritjeje, një vend që çdo turist do ta ëndërronte. / KultPlus.com

Të ngjajshme