Mbi 18 mijë turistë vendas e të huaj vizituan parkun natyror Korab-Koritnik

28 Korrik, 2022 - 1:00 pm

Parku natyror Korab-Koritnik vijon të jetë ndër destinacionet turistike të preferuara në çdo stinë të vitit.

Ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukuritë natyrore dhe peizazhe frymëzuese.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga muaji janar deri tani ky park është vizituar nga 18 400 turistë, nga të cilët 8 469 të huaj dhe 9931 vendas”.

“Në krahasim me vitin e kaluar gjatë kësaj periudhe kemi një rritje me 15% të numrit të turistëve që kanë vizituar këtë park”, theksoi Gjana.

Sipas tij, sidomos gjatë fundjavave parku vizitohet nga një numër i lartë turistësh

“Çdo fundjavë disa guida turistike të qytetit shoqërojnë turistët e pasionuar pas turizmit malor, të cilët përshkojnë shtigjet që ndodhen në këtë park, ku më të preferuarit janë Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe””, tha Gjana.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme