Mbi 23 mijë nxënës i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore

26 Qershor, 2021 - 8:59 am

Mbi 23 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot Provimit të Maturës Shtetërore, në 177 qendra të testimit.

Sipas MASHTI-t në proces janë angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës, 200 vëzhgues, ndërsa rezultatet e testit pritet që të shpallen më 5 korrik.

“Në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi.

Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësishtë mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit.

Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendrave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. / KultPlus.com

Të ngjajshme