Mbi 4.200 punëtorë të arsimit me Covid-19, në shkolla mungojnë maskat dhe dezinfektues

22 Shkurt, 2021 - 8:38 pm

Mbi 4.200 punëtorë të arsimit janë infektuar me virusin Covid-19, që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë. Ndërkohë, shpeshherë ka mungesë të maskave dhe dezinfektuesve nëpër shkolla.

Kështu ka thënë përfaqësuesit i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka folur edhe për marrëveshjet e fundit, siç është marrëveshja kolektive, si dhe ajo me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

Gjysëmvjetori i dytë i këtij viti shkollor në nivelin fillor dhe të mesëm ka filluar më 18 janar. Prej asaj date shumë nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar duke ndodhur kështu dhe mungesa e tyre në mësim.

Ymeri tha se frikësohen se rritja e numrit të infektuarve që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor.

“Numër të saktë nuk kemi por mund të themi se punonjës të arsimit, duke i përfshirë edhe mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të cilët janë të angazhuar drejtpërdrejtë në procesin mësimor, kemi mbi 4,200, kemi frikë që rritja e numrit të infektuarve ditëve të fundit, do të ndikoj edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, dhe kjo mund ta qoj ndonjë shkollë tek varianti C, pra tek mësimi online, variant i cili është më pak frytdhënës sesa variantet e tjera. Mbesim me shpresë që mësimdhënësit dhe nxënësit të ruajnë distancën, të vendosin maskat dhe të përdorin dezinfektues”, tha ai për KosovaPress.

Ymeri tha se ani se Ministria e Arsimit kishte ndarë buxhetin për mjetet higjenike dhe për pagesat shtesë, prapë nëpër shkolla ka mungesa të maskave dhe shumë shpesh edhe të dezinfektuesve.

 “Jemi të zhgënjyer në drejtoritë komunale të arsimit, kanë pasur një buxhet të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Arsimit, edhe për mjetet higjenike por edhe për pagesat shtesë të mësimdhënësve që mbajnë orë përtej normave. Nuk e kanë shfrytëzuar asnjërën, shpeshherë ka mungesë të maskave nëpër shkolla, ashtu qysh e parasheh Instituti i Shëndetësisë, shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve i përdorin maskat e veta, dezinfektues shumicën e rasteve ka nëpër shkolla, por kemi edhe raste kur nuk ka”, tha ai

Ymeri u ndal edhe te nënshkrimi i marrëveshjes kolektive në mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ku tha se është në procedurë të shtypjes. Sipas tij, arsyeja e mos publikimit të marrëveshjes është bërë për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore. /express/ KultPlus.com

Të ngjajshme