13 Korrik, 2025 - 1:55 pm
Kruja vijon të mbetet ndër qytetet më të vizituara, ku edhe në këto ditë të nxehta korriku rrugët e saj gumëzhijnë nga turistët vendas e të huaj, që zbulojnë historinë, artizanatin dhe bukuritë e qytetit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga vizita e turistëve në Krujë. “Rrugicat me turistë, traditë dhe histori të Pazarit të Krujës”, shkruan Rama.
Qendra Muzeore e Krujës, ku përfshihen Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik ka shënuar një rritje të numrit të turistëve nga janari deri tani, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “mbi 95 mijë vizitorë është totali i vizitorëve në qendrën muzeore Krujë, ku 50% janë huaj”.
Sipas tij, numrin më të lartë të turistëve të huaj e përbëjnë vizitorët nga Polonia, Spanja, Azia, Franca etj”.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik.
Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale është një ndër të preferuarit e turistëve. Por turistët nuk ikin nga Kruja pa vizituar edhe Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë./atsh/KultPlus.com