Mbledhje komemorative për Arsim Fehmiu, Çeku: Kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë

27 Qershor, 2023 - 3:30 pm

Një nga personalitetet që kontribuoi shumë në fushën e sportit përgjatë gjithë jetës së tij, profesori i ndjerë Arsim Fehmiu u kujtua sot në mbledhjen komemorative organizuar për nder të tij.

Në ceremoninë lamtumirëse që u mbajt në Kino Armata morën pjesë Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, familjarë, pjesëtarë të komunitetit të sportit dhe miq e bashkëpunëtorë të të ndjerit.

Para të pranishmëve foli Ministri Çeku, i cili tha që ikja e profesor Fehmiut nga kjo botë ka lënë boshllëk të madh në shoqërinë tonë e në komunitetin e sportit në veçanti, ndërsa theksoi që kontributi i tij për vendin dhe kombin do të kujtohet gjithmonë, duke folur gjithashtu për përkushtimin që kishte ai për edukimin e gjeneratave të tëra në sport.

Ndërsa pedagodu sportiv, Jakup Kasapolli, ndau me të pranishmit disa nga bisedat që kishte së fundi me mikun e tij të ndjerë. Foli për pasionin që kishte profesor Fehmiu për sportin dhe angazhimin e punën e tij në zhvillim të kësaj fushe deri në fund të jetës.

Fjalën po ashtu e mori profesori i sportit, Malsor Gjonbalaj i cili tha që profesor Fehmiu do të mbetet shembull për gjenerata të tëra.

Ndërsa në emër të familjes, djali i të ndjerit, Agon Fehmiu, falënderoi të pranishmit për respektin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni lamtumirëse ndërsa tregoi për ditët e fundit të jetës së profesorit, vullnetin për të shtyer përpara nisma të shumta në fushën e sportit. / KultPlus.com

Të ngjajshme