Mbrëmë në Kino Armata u mbajt takimi i fundit për këtë vit, mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik

24 Dhjetor, 2021 - 6:15 pm

Mbrëmë në Kino Armata në Prishtinë, u mbajt takimi i fundit për këtë vit, mes ministrit Hajrulla Çeku dhe komunitetit artistik.

Kësaj radhe u diskutua me komunitetin e teatrove, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me pjesëmarrësit u fol për identifikimin e sfidave, nevojave dhe hapat e përbashkët të veprimit për adresimin e shumë çështjeve me rëndësi.

Bashkëbisedimi filloj me një prezantim nga ministri për punën që është bërë në fushën e teatrove dhe për idetë për të ardhmen.

Në lidhje me teatrin, koncepti është që jeta teatrore të organizohet edhe përtej institucioneve publike dhe për këtë duhet të obligohet ministria në të ardhmen që të krijojë hapësira të reja për teatro të tjera dhe për organizime teatrore, sidomos në shkolla të Kosovës, veçoi ministri Çeku.

Ndër të tjera gjithashtu foli për financimin për teatrot dhe projektet teatrore, i cili është dyfishuar këtë vit.

Ndër temat kyçe që u diskutuan në këtë takim të përbashkët ishin mbledhja e analizës mbi gjendjen e tanishme të sektorit dhe ku duam ta dërgojmë teatrin, reforma ligjore në kulturë, e posaçërisht në fushën e teatrit, ku të parashihet edhe çfarë do të vije pas 20-30 viteve.

Në diskutim u fol edhe për çështjen e këshillave drejtues, organizimin sindikal në sektorin e teatrit, sundimin e ligjit, deburokratizimin sa më të madh të kulturës, rritjen e krijimtarisë dhe vlerave artistike në fushën e teatrit, për krijimin e hapësirave të reja për artistët e rinj, financimin e qëndrueshëm të teatrov, duke zgjidhur menaxhimin e financave nga vet teatrot, për zhvillimin e një konkurrence të shëndoshë të angazhimit të artistëve në shfaqjet teatrale, bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe teatrove të qyteteve, dhe nçështje tjera që ndërlidhen me këtë fushë.

Ndër diskutuesit që kontribuuan në këtë takim të përbashkët ishin: Florent Mehmeti nga Teatri Oda, Naim Berisha nga Shoqata Sindikale e TKK-së, Flutura Zymi, aktiviste, Sokol Plakolli, artist, Fatmir Hyseni, nga Teatri i Ferizajt, Agron Gërguri nga Teatri i Podujevës, Vedat Haxhiislami, aktor, Fadil Hysaj, regjisor, pedagog, Saranda Elshani nga Teatri i Suharekës, Xhevat Limani, artist nga Shqipëria, Edi Kastrati nga Teatri i Gjakovës, Elhame Kutllovci, regjisore e teatrit, Valina Muçolli, aktore, Shefqet Gjoca, drejtor në AKKV “Shota”, dhe Gyner Halili, aktor. / KultPlus.com

Të ngjajshme