Mbyllet hapësira performuese e Qendrës Multimedia në Prishtinë

22 Korrik, 2020 - 1:46 pm

‘Hapësira performuese e Qendrës Multimedia në lagjen Dardania në Prishtinë është mbyllur përfundimisht, pas gati dhjetë vitesh funksionim.

Kjo hapësirë ka shërbyer për qindra aktivitete kulturore që janë mbajtur krejt këto vite, jo vetëm ato të organizuara nga Qendra Multimedia, por edhe nga shoqata kulturore, artistë, shkrimtarë e aktivistë të ndryshëm nga Kosova dhe nga vende të ndryshme të botës. Një publik prej dhjetëra mijërash kanë përcjellë aty performancat e ndryshme teatrore e muzikore, leximet e qindra autorëve, diskutimet, promovimet e librave, ekspozitat e aktivitetet e ndryshme kulturore.

Këto gati dhjetë vite menaxhmenti i Qendrës Multimedia ka bërë përpjekje të vazhdueshme të gjejë zgjidhje më të qëndrueshme për aktivitetet e saj publike,  megjithatë vullneti i komunës së Prishtinës në këtë drejtim ka munguar. Mbështetja e Komunës së Prishtinës ka qenë ose inekzistente ose minimale – në disa raste madje edhe penguese.

Rrugët dhe trotuaret në lagjen Dardania ku ka funksionuar Qendra Multimedia tani po shtrohen me asfalt të ri (po të na pyesni neve që kemi punuar aty, do të thonim se asfalti i vjetër s’ka qenë fare i dëmtuar), ashtu siç e kemi parë që po shtrohen me asfalt rrugët tjera gjithandej nëpër Prishtinë. Por asfalti i ri që po shtrohet e që do të shtrohet, nuk do të mundet kurrë t’i fshehë gjurmët e pafuqisë, padijes, dhe mos-vullnetit të këtij qyteti për t’krijuar e mbajtur hapësira kulturore, kaq të domosdoshme. Prishtina sot nuk ka humbur një hapësirë dosido, por ka humbur një vend ku qytetarët, artistët, aktivistët, janë ndier të lirë të flasin, të kritikojnë pa frikë, të revoltohen por edhe të krijojnë dashuri për njëri-tjetrin, për qytetin, për vendin tonë. Sot, Prishtina ka humbur një hapësirë të lirë, një copë lirie nga ajo pak liri që i ka mbetur pa u ngulfatur nga asfalti, betoni, kishat, xhamitë e qendrat e shopping-ut.

Prishtina nga tani ka një hapësirë të pavarur kulturore më pak.  Megjithatë, beteja jonë për hapësira performuese do të vazhdojë. Për ruajtjen e këtyre pak që kanë ngelur dhe për krijimin e të rejave. ‘, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme