Mbyllet Muzeu Historik Kombëtar pas dëmeve të shkaktuara gjatë protestave

11 Dhjetor, 2020 - 12:54 pm

Protestat në Tiranë që erdhën si revoltë për ngjarjen e së martës, ku një polic qëlloi dhe vrau 25-vjeçarin Klodian Rasha, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, kanë shkaktuar edhe dëme. Protestuesit i kanë vënë flakën pemës së Krishtlindjeve tek kryeministria si dhe kanë thyer gjëra përreth.

Dëmtime ka marrë edhe Muzeu Historik Kombëtar.

Andaj, në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Kulturës “Për mbylljen e përkohshme të aktivitetit për publikun të Muzeut Historik Kombëtar, Teatrit Kombëtar Të Operas, Baletit Dhe Ansamblit Popullor dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë.

Në faqen zyrtare të Muzeut Historik Kombëtar kanë njoftuar se tashmë është ngritur edhe Grupi i Emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet. / KultPlus.com

Të ngjajshme