Mbyllet panairi i librit “Valë dhe Fjalë” në Shëngjin, ndahen 4 çmime

24 Gusht, 2025 - 12:11 pm

“Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit që e shndërroi Shëngjinin në kryeqendrën e letërsisë shqiptare, u mbyll dje pas dy netëve të mbushura me letërsi, kulturë dhe frymëzim.

Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj, me anëtarë Alda Bardhyli dhe Monika Stafa, shpalli fituesit.

Çmimin për poezinë më të mirë e mori shkrimtari Preç Zogaj. Shkrimtari Rudolf Marku u vlerësua me  çmimin e karrierës “Ndoc Gjetja”.

Vepra më e mirë studimore iu dha prof. dr. Sherif Bundo, proza më e mirë Odise Kotes dhe çmimi special Pashko Camajt.

Kreu i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu shprehu mirënjohjen për “Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja” dhe Shtëpisë Botuese “Fishta””.

“Një panair që e ktheu librin në kryefjalë dhe që do të vazhdojë si traditë në vitet që vijnë”, shkroi Ndreu.

Shtëpitë botuese më të njohura në vend prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Po ashtu, 6 panele me emra të njohur të letrave shqipe diskutuan mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme