Mbyllja e klubeve të natës, Rakacolli: Nuk u respektuan masat e protokollit

21 Korrik, 2020 - 6:31 pm

Zëvendësministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, njëkohësisht kryesuese e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të përballuar pandeminë e COVID-19, Mira Rakacolli, tha sot se “që në periudhën kur nisi rihapja e aktiviteteve klubet dhe lokalet e kishin të paracaktuar në protokollin e masave që duhet të ndiqnin në mënyrë që të minimizonin mundësinë e përhapjes së infeksionit. Por ata nuk i respektuan këto masa”.

Në një intervistë televizive Rakacolli duke folur për aktin normative për mbylljen e klubeve të natës dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00, tha se “e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë sëmundje është distancimi fizik, pra mbajtja e masave mbrojtëse, të cilat janë thënë në protokollet e hapjes. Por njerëzit nuk i kanë respektuar dhe kanë bërë grumbullime”.

“Distanca e tavolinave, mënyra e vendosjes së karrigeve dhe njerëzve në mjedise të jashtme nuk është respektuar, nuk ka nevojë të dalin pamje, një shëtitje të bënim në mbrëmje nëpër lokale dhe çdo njeri tmerrohej duke e ditur epidemiologjinë, ndërkohë të rinjtë rrinin ngjitur me njëri-tjetrin. Ne nuk kemi gjetur deri tani ndonjë që t’i ketë respektuar masat, për hir të shëndetit publik, në numra të tillë rastesh, patjetër që do të merren të tilla vendime,” – u shpreh Rakacolli.

Zëvendësministrja Rakacolli u shpreh se “është normale që qytetarët të kenë frikë nga spitalet në një situatë pandemie, por ajo këmbënguli që ata duhet të kenë të njëjtën qasje për rrezikshmërinë e infektimit edhe në dyqane, apo dhe lokale”.

“Frikën qytetarët të mos e kenë vetëm për spitalet, por edhe kur hynë në super-market dhe njerëzit nuk kanë maska, kur hipin në autobusë dhe gjithashtu nuk ka maska, kur ulen në kafene dhe shohin që janë ngjitur. dhe të rinjtë gjithashtu ta kenë këtë frikë kur shkojnë nëpër bare e restorante, apo diskoteka të hapura”, – nënvizoi Rakacolli duke shtuar se aktivitetet e ngjashme në mjedise të mbyllura kanë qenë të ndaluar që prej muajin prill.

E pyetur për testet serologjike, Rakacolli tha se “ato laboratorë që kanë nivel sigurie do të lejohen t’i bëjnë”.

Sa i përket transportit urban, duke i bërë apel qytetarëve të mos i nënvlerësojnë rregullat, Rakacolli theksoi se në autobusa ka rrezikshmëri të ulët përhapje të infeksionit nëse përdoren maskat.

Zëvendësministrja Rakacolli tha se “në varësi të prirjes që do të ketë pandemia COVID-19 do të diktojë më tej edhe masat që do të detyrohen të merren”.

Lidhur me përhapjen e virusit në spitale, Rakacolli u shpreh se “infeksioni në QSUT është problem tashmë i kaluar dhe e kemi sqaruar disa herë që është normale që në ato vende ku trajtohen të sëmurë të infektuar dhe të sëmurë kronikë, infeksioni spitalor është i pritshëm. Të mos harrojmë se ky infeksion filloi të shfaqej kur nisi hapja e aktiviteteve”.

“QSUT ka 57 shërbime dhe vetëm në 2 shërbime ishte ky problem, problem i përfunduar dhe i mbyllur. Ka tashmë disa javë që të dy shërbimet funksionojnë normalisht”, – tha ajo. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme