Mbyllja e njerëzve në shtëpi gjatë pandemisë po u ndihmon bletëve

17 Maj, 2020 - 3:58 pm

Kufizimet e lëvizjes përreth botës kanë bërë që praktikat tona të ndryshme, e që janë të dëmshme për insektet, të ndalen për një kohë, me këtë duke e krijuar një botë më miqësore për bletët.

Derisa njerëzit janë të mbyllur në shtëpi këtë pranverë, kafshët po përballen me më pak pengesa nga njerëzit, nga trafiku dhe ndotja. Në Izrael, derrat e egër kanë hyrë në qytetin Haifa, ndërsa delfinët po notojnë në Bosfor, ngushticë në Turqi që zakonisht është shteg i ngjeshur i transportit ujor.

Një kafshë e cila mund të përjetojë ringjallje tepër të nevojshme është edhe bleta e egër, thonë shkencëtarët. Numri i bletëve në tërë botën është duke përjetuar zvogëlim shumë të madh, për shkak humbjes së mjedisit të përshtatshëm, ndotjes dhe përdorimit të pesticideve, pos tjerash.

Një botë pa bletë do të dukej shumë ndryshe, dhe do të ndryshonte jetët tona jashtëzakonisht. Bletët janë polenizuesit kryesorë të planetit tonë, dhe fertilizojnë një të tretën e tërë ushqimit tonë dhe 80% të luleve, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Njëri nga ndikimet më të mëdha që kanë pasur mbylljet e ekonomive ka qenë zvogëlimi i dukshëm i ndotjes së ajrit.

Në një botë me ajër më pak të ndotur, bletët mund të bëjnë udhëtime më të vogla por më produktive të polenizimit.

Më pak gazra nga automjetet ua lehtëson bletëve të gjejnë ushqim, ngase ndotja e ajrit e zvogëlon fuqinë dhe kohëzgjatjen e aromës së luleve, sipas një studimi të vitit 2016. Ndotësit i zbërthejnë molekulat e aromës së lëshuar nga bimët, duke ua vështirësuar bletëve detektimin e ushqimit.

Andaj, kushtet e jetesës për bletët në këto kohëra janë duke u përmirësuar dhe shkencëtarët shpresojnë se vetëdijesimi i rritur mund të ndihmojë në ruajtjen e këtyre kafshëve. Por, si me të gjitha ndryshimet mjedisore që po i shohim gjate kufizimeve të pandemisë, çfarëdo përfitimi afatgjatë për bletët do të varet nga ndryshimet që do t’i bëjmë kur të hiqen kufizimet. Për disa gjëra, ndryshimet nuk do të jenë të vështira që të vazhdohen. Por për të mbajtur trafikun në numër të ulët, ndryshimet duhet të jenë shumë më sistematike. / KultPlus.com

Të ngjajshme