Më 1 korrik hapet pishina e Gërmisë

28 Qershor, 2020 - 7:58 pm

Përfundimisht pishina e Gërmisë do t’i hap dyert për vizitorët më 1 korrik.

Nga kjo datë qytetarët ditën e nxehta mund t’i kalojnë duke u freskuar në këtë vend.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Sport Marketing”, Liridon Llapashtica.

Llapashtica tha se janë gati për fillimin e aktiviteteve duke respektuar edhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ne jemi gati sa i përket anës teknike dhe do të startojmë nga e mërkura më 1 korrik. Nga rekomandimet janë çështje e distancës si brenda ashtu edhe në hyrje të pishinës, punonjësit e “Sport Marketingut”, do të jenë të pajisur me maska dhe dorëza do t’i përmbahemi të gjitha rekomandimeve”.

Ai theksoi se vizitorët janë të obliguar të mbajnë distancën sociale deri në dy metra.

“Numër të caktuar nuk ka, pishina i ka 5ha hapësirë, ka mjaftueshëm vend dhe ne kemi caktuar edhe distancën. Është një element shumë me rendësi ku sipas OBSH-së dhe studimeve të fundit, kemi parë edhe praktika nga shtetet e ndryshme pishinat nuk janë mbyllur për shkak se klori që përdorët në ujin e pishinave është element vrasës për çdo bakterie, prandaj brenda ujit nuk do të ketë kufizime për numrin e personave”.

Edhe këtë vit çmimi i biletave do të jetë i njëjtë për qytetarë që frekuentojnë këtë pishinë.

Për të rriturit çmimi mbetet 2 euro ndërsa për fëmijët mbi moshën 7 vjeç, 1 euro. /KultPlus.com

Të ngjajshme