Sot mbushen 88 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

14 Gusht, 2021 - 9:24 am

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Të ngjajshme