Më 31 maj në librarinë ’Dukagjini’ Sibel Halimi mban diskutim të hapur për trupin dhe politikën

27 Maj, 2023 - 1:45 pm

Më 31 maj, nga ora 18:00 – 19:00, sociologia, poetja dhe politikanja Sibel Halimi vjen në librarinë Dukagjini për një diskutim të hapur mbi trupin si konstrukt shoqëror, marëdhënien mes “trupit dhe politikës”.

Përkundër që trupi dhe politika duken fusha të ndryshme në pamje të parë, ekziston një lidhjendërvarësie në mes tyre. Marrëdhënia midis trupit dhe pushtetit politik, praktikave të politikës në lidhje me trupin, si dhe ndikimit të faktorëve politikë në perceptimin dhe përjetimin e trupit janë vetëm disa nga dimensionet e bashkëjetesës së ngushtë në mes politikës dhe trupit. Prandaj, diskutimi i lidhshmërisë në mes politikës dhe trupit përpiqet të zbulojë se si politika shpërndan, i vë në një lloj hierarkie dhe i rregullon trupat në një shoqëri.

Nën moderimin e Agon Rexhepit, diskutimi përqendrohet edhe në studimet sociologjike të trupit dhe politikës, duke u ndalur te çështjet si: kontrolli politik i trupit, çlirimi i trupit nga pushteti politik, shfrytëzimi i trupit në politikë, ndikimi i politikave të trupit në formimin e identitetit individual dhe kolektiv, trupi si fushë e protestave politike dhe simbolikat politike të trupit.

Marrëdhënia dinamike në mes biologjikes dhe ambientit social në të cilin gjendet individi kanë një efekt të fuqishëm në perceptim dhe krijimin e vetimazhit dhe respektit për veten.

Përtej shtjellimit teorik, diskutimi do të shpërfaq edhe rezultatet nga hulumtimi empirik i autores, i realizuar me gratë dhe vajzat në Kosovë lidhur me të kuptuarit e vlerësimit të trupit; qëndrimet e tyre rreth imazhit të trupit që do të ndihmojnë në dekonstruktimin e standardit të trupave të idealizuara të grave dhe vajzave në Kosovë.

Imazhi i trupit dhe vlerësimi i tij janë koncepte gjithnjë në ndryshim dhe kanë një efekt të thellë në përditshmërinë dhe mënyrën e të jetuarit në përgjithësi. Problematika e trupit, disiplinimi e kontrolli i trupit, ribërja e trupit nëpërmjet modifikimit si dhe portretizimi i trupave në kulturën e komunikimit masiv përbëjnë katër aspektet qendrore të diskutimit, drejt të kuptuarit të trupit dhe njohjes së konstruktit shoqëror mbi ‘trupin ideal’ të grave dhe vajzave në Kosovë./KultPlus.com

Të ngjajshme