Me moton ‘F… Sexism’, rikthehet Festivali ‘FemArt’

9 Korrik, 2021 - 6:01 pm

Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet sjell edicionin e 9-të të festivalit të parë dhe të vetëm feminist në Kosovë dhe më të madhin në rajonin e Ballkanit, FemArt, në datat 20 – 25 shtator, 2021 me moton “F… Sexism”. Ky festival do të bashkojë të gjitha komunitetet nga mbarë bota në një vend për të krijuar dhe prezantuar artin e tyre, përcjell KultPlus.

Festivali FemArt është platformë ku artistët/artistet dhe aktivistët/aktivistet mblidhen për të revolucionarizuar artin ashtu që të transformojmë status quo-në duke shkatërruar normat e strukturat patriarkale, drejt një të ardhmeje më të mirë.

”Ne jemi këtu për të qëndruar, kështu që “F… Seksizmit”. Ne besojmë në barazi në mes njerëzve. Ne njohim, pranojmë, çmojmë, festojmë dhe mbështesim dallimet. Ne qëndruam në solidaritet me njëri-tjetrin në edicionin tonë gjatë vitit të kaluar. Ishte kohë reflektimi, mirësie dhe kujdesi më shumë se gjithçka tjetër. Këtë vit fuqia jonë krijuese është thirrur në veprim për të luftuar padrejtësitë në emër të dallimeve gjinore. Artistë/e dhe aktivistë/e nga komunitetet lokale dhe ndërkombëtare do të mblidhen për të provokuar, frymëzuar dhe sfiduar në çdo mënyrë të mundshme realitetet aktuale seksiste. Nga shfaqjet, poezitë dhe vallëzimet, diskutimet dhe konferencat, deri në neja dhe rebelime, ne do të trajtojmë të drejtat e grave si të drejta të njeriut. Ne synojmë të mobilizohemi për t’ia futur seksizmit, si mënyra e vetme për të arritur barazinë politike, ekonomike, kulturore, personale dhe shoqërore”, theksohet në komunikatën për media.

Në këtë edicion, siç theksohet tutje në komunikatën për media, festivali pritët që të demonstrojë fuqinë e veprimit kolektiv, mendimit kritik dhe rebelimit krijues. Ku do të prezantohetn shfaqje, ekspozita, kërcime dhe këngë, panele diskutimi, podkaste përmes të cilave do të diskutohet seksizmi në të gjitha format e tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme