Me “Poezi për Fuqi” Artpolis shënon Ditën e Gruas, solidarizohet me tri gra

1 Mars, 2023 - 10:00 am

Me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara edhe nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët, Artpolis do të sjellë mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars” në Menzën Ramiz Sadiku, më 2 mars, 2023 nga ora 20:00.

Audienca do të ketë rastin të përjetojë një mbrëmje artistike të veçantë, në të cilën ndërthuren arti i poezisë feministe, aktrimit, muzikës dhe vallëzimit. Që të gjitha në shërbim të fuqizimit të grave dhe vajzave në Kosovë.   

Në këtë mbrëmje do të interpretojnë artiste/ë dhe aktiviste/ë të dëshmuar në Kosovë, në mesin e tyre do të jenë poetet/ët: Arbër Selmani, Gili Hoxhaj, Sibel Halimi dhe Shpëtim Selmani.

“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli.

Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli.

Me koreografi nga Robert Nuha do të sjellin vallëzime bashkëkohore kërcimtarët: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha,  dhe Ibrahim Tusha.

Poezitë do të përcjellën me muzikë nga bendi i Semira Latifit, së bashku me Arian Randobrava dhe Ilir Bajri.

“Poezi për Fuqi” edhe sivjet udhëhiqet nga regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha.

Edhe sivjet solidariteti është pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmje. “Poezi për Fuqi” mëton të fuqizojë tri gra kryefamiljare nga Skenderaj, Klina dhe Mitrovica, qytete këto prekura nga vërshimet. Paratë e mbledhura nga biletat do t’iu dedikohen këtyre grave!

E për publikun edhe këtë herë do të jetë në dispozicion “Mikrofoni i hapur”, që mund të bashkohet në skenë me artistet/ët për të interpretuar poezitë e tyre ose të autoreve feministe.

Ky aktivitet realizohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, mbështetur nga cfd. / KultPlus.com

Të ngjajshme