Media franceze: Zbuloni Shqipërinë dhe historinë e saj gjatë sistemit komunist

29 Mars, 2023 - 1:57 pm

Me iniciativën e sipërmarrësit Dritan Gremi, u prezantua më 9 mars, në panairin e turizmit në Berlin, projekti me titullin: Turizmi rreth historisë së diktaturës në Shqipëri.

Media franceze “Courants d’air”, e fokusuar kryesisht mbi artin, udhëtimet dhe kulturën, i ka kushtuar një artikull të veçantë projektit të prezantuar nga Gremi.

REPORTAZHI

Simbolet e komunizmit në Shqipëri, janë shndërruar sot në memorialë dhe muzeume që dëshmojnë një prej diktaturave më të egra në Evropën juglindore dhe në botë.

Duke kujtuar se sot Shqipëria është një vend aspirant për në BE dhe që ofron të gjitha avantazhet për turistin, z. Gremi u ndal mbi të gjitha në mesazhin e fortë që synon të përçojë përmes kësaj nisme: “Aktualisht, ne po përjetojmë konfliktin në Ukrainë. Ka një botë në të cilën jetojmë dhe në të cilën kemi aspiruar të jetojmë për një kohë të gjatë. Është ajo demokratike, evropiane, një bote e lirë, ku njerëzit janë të lirë të zgjedhin dhe të shprehen, ku nuk ndalohet fjala, ku njerëzit nuk vriten, torturohen dhe dënohen, për atë që thonë apo çka mendojnë”.

Dritani theksoi gjithashtu se sa e rëndësishme është njohja e së shkuarës, në mënyrë që brezat e rinj të kuptojnë dallimin mes dy botëve, totalitare dhe asaj demokratike.

E sunduar me grusht të hekurt nga diktatori Enver Hoxha dhe sistemi komunist, për më shumë se 40 vjet Shqipëria ishte vendi më i izoluar në botë.

Kufij të mbyllur, tarifa ushqimore, ndalim i tregtisë së lirë dhe mbi të gjitha luftë mes klasave politike.

Regjimi i vjetër, në një sistem izolimi dhe lufte imagjinare, shpenzoi 2.2 miliardë dollarë nga buxheti i varfër i Shqipërisë për të ndërtuar 750,000 bunkerë dhe fortifikime në të gjithë vendin.

Sigurisht, këto fortifikime nuk u përdorën kurrë, pasi armiku ishte thjesht në imagjinatën e Hoxhës.

Falë strukturës së tij të sigurisë, shteti ka gjurmuar dhe përgjuar çdo qytetar, edhe në jetën e tij private, duke i kthyer në armiq ata që guxonin të mendonin ndryshe, në një regjim që barazohet vetëm me atë të Kim Jong Un në Korenë e Veriut.

Ndërkohë, në disa qytete të vendit u ndërtuan burgje dhe kampe internimi për të internuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe familjarët e tyre, të cilët shfrytëzoheshin me punë të detyruar.

Një pjesë e madhe e këtyre kampeve dhe vendeve të ndëshkimit ekzistojnë dhe mund të vizitohen sot nga turistët.

Në ditët e sotme, në një kohë kur Shqipëria është kandidate për në BE dhe destinacion popullor për turistët nga e gjithë bota, është për t’u zbuluar historia e saj në kohën e diktaturës komuniste.

Anët e errëta të diktaturës: Një kujtim për brezat e ardhshëm

Gjatë kësaj periudhe, 146 artistë u dënuan dhe u vranë nga sistemi komunist, 5500 u ekzekutuan politikisht, përfshirë 300 gra dhe 35,000 të burgosur politikë, mes të cilëve 7,000 gra.

Vende për t’u vizituar në kryeqytetin shqiptar

Muzeu i Gjetheve

Simboli i “makinerisë” që spiunoi për sistemin komunist bazuar në mekanizmin e përgjimit që sistemi kishte ngritur. Mikroçip, radio, audio player dhe qindra njerëz në dispozicion për të kryer përgjime me të cilat më pas u burgosën, u internuan dhe u vranë qindar njerëz.

BUNK’ART 1 & BUNK’ART 2

Qindra e mijëra dollarë të shpenzuara nga qeveria komuniste si fortifikim kundër armiqve imagjinarë të diktatorit Hoxha.

Shtëpia e artistit

Një kushtim për 146 artistë të dënuar dhe të pushkatuar gjatë 46 viteve të sundimit komunist, sepse u përpoqën të sillnin lirinë. E vendosur në zemër të Tiranës, dokumente, foto dhe dokumentarë rrëfejnë ngjarjet më tronditëse të atyre viteve.

Ish-banesa e Enver Hoxhës

Në “Bllok”, një nga lagjet më trendi të Tiranës së sotme, ndodhet rezidenca e ish-diktatorit Hoxha. Dikur një zonë ekskluzive për liderët komunistë, sot është një vend i gjallë për të rinjtë, me muzikë dhe bare modern. Një pjesë e qytetit që nuk fle kurrë.

Kampi i Tepelenës

Rreth 200 km larg kryeqytetit, kampi i Tepelenës është ende dëshmi e gjallë e mizorisë së sistemit komunist. Më shumë se 115 varre të njerëzve që humbën jetën janë gjetur aty, megjithëse numri thuhet se është mbi 600. Fëmijët brenda kampit nuk lejoheshin as të kishin ushqim apo kujdes mjekësor, sepse i përkisnin familjeve të internuara politikisht.

Burgu i Spaçit

I vendosur vetëm 64 km larg Tiranës, godina, tashmë e braktisur, pa vuajtjet dhe përvojat e më shumë se një mijë të burgosurve politikë, të cilët u detyruan mizorisht të punonin në minierën me të njëjtin emër. Mungesa e lirisë, dhuna brenda burgut, puna mizore në galeritë e minierave dhe mungesa e ushqimit kanë marrë jetën e shumë njerëzve brenda këtij burgu famëkeq.

Rënia e komunizmit, një mesazh për sot

Edhe në këto kohë të vështira, shqiptarët e deshën Perëndimin, muzikën e tyre, artet dhe librat. Ata i shpëtuan për pak vdekjes duke u përpjekur të kalonin kufirin ilegalisht, por nuk pushuan së ëndërruari për të qenë në Evropë.

Ata përmbysën një nga sistemet më të ashpra totalitare në Evropën Juglindore me protesta të ashpra, por pa dhunë dhe gjakderdhje.

Kur bota përballet me kërcënimin e diktaturave, të mësuarit për të kaluarën është ajo që na ndihmon ta parandalojmë që ajo të mos ndodhë përsëri.

Në zemër të Evropës, Shqipëria është tashmë një kandidate për integrim në Bashkimin Evropian. Me një popullsi relativisht të re, që flet gjuhë të huaja, të etur për të kompensuar kohën e humbur gjatë diktaturës, me mikpritje dhe bujari, Shqipëria është sot një atraksion kryesor për turistët nga Evropa dhe gjetkë.

Nëse sot në Shqipëri turistët zbulojnë plazhet e virgjëra, majat e mbuluara me borë për shëtitjet në Alpe, rafting në lumenjtë e bukur, gastronominë e shijshme dhe mikpritjen e shkëlqyer, vendi dëshiron që të mos harrojmë dhe të kaluarën e tij.

“Duke prekur dhe jetuar pasojat e një sistemi diktatorial, jemi të bindur se sot demokracia është rruga që do ta çojë përpara këtë botë”, nënvizon Dritan Gremi./ euroneës albania / KultPlus.com

Të ngjajshme