Mediat serbe “tërbohen” pas shqiponjës dykrenare që bëri Gjon Muharremaj

23 Maj, 2021 - 8:34 pm

Me këngën “Tout l’Univers”, Gjon Tears nga Zvicra perëndimore zuri vendin e tretë në Konkursin e 65-të të Këngës Eurovision në Roterdam.

Nga mbrëmë 22-vjeçari me rrënjë nga Shqipëria dhe Kosova është brohoritur nga fansat e tij në rrjetet sociale dhe i janë bërë komplimente si “i talentuar”, “i shkëlqyeshëm” etj, shkruan 20minuten.ch. Po kështu edhe mediat shqiptare të Kosovës e të Shqipërisë nuk kursejnë komplimentet dhe mburrjen me të.

Ndërkohë, mediat serbe janë të tërbuara. Arsyeja: Kur Gjon`s Tears mori dymbëdhjetë pikë nga Shqipëria, ai falënderoi duke bërë me duar shqiponjën dykrenare, transmeton albinfo.ch. Ishte “një provokim”, sipas mediave serbe.

Madje për to ky ishte “një skandal” në ESC. Me këtë gjest ai tërhoqi mbi vete zemërimin e serbëve, shkruan portali kroat i lajmeve “24sata”.

Një stuhi sharjesh ka shpërthyer edhe në Twitter. Fjalitë si “ai nuk duhet ta kishte bërë atë” dhe “ai duhej diskualifikuar për shkak të kësaj” janë ndër komentet më të buta të bëra nga komuniteti serb. Përdorues të shumtë të twitterit kanë ofenduar 22-vjeçarin në mënyrën më të keqe të mundshme, pa u marrë fare me performancën e tij muzikore.

Të kujtojmë: Gjon`s Tears kishte marrë vlerësimin maksimal prej 12 pikësh nga juritë e 8 shteteve pjesëmarrëse dhe kishte merituar kështu vendin e parë, sipas vlerësimit të jurive profesionale, shkruan albinfo.ch. Por, sa i përket pikëve të publikut, ai ka fituar “dymbëdhjetëshen” vetëm nga Zvicra, gjë që e ka ulur atë në vendin e tretë./ KultPlus.com

Të ngjajshme