Mediet serbe: Tani Bonbonierat e Shqipërisë së madhe e paskan marrë formën e hartës së Turqisë

19 Nëntor, 2019 - 2:17 pm

Pasi e kishin “zbuluar” mediet serbe se bonbonierat nga Kosova janë renditur “në formë të hartës së Shqipërisë së Madhe”, tani “zbulojnë se kanë zbuluar gabim” dhe se renditja e bonboneve të çokollatës “nuk janë në formë të hartës së Shqipërisë së Madhe por të hartë së Turqisë”!!!

“Pas bonbonierës “Kamila” e cila ka arritur në raftet tona nga Kosova, qëndron një kompani nga Turqia, e cila e ka hapur një fabrikë në Prizren. Tregimi mbi Shqipërinë e Madhe dhe këto ëmbëlsira, si duket nuk paska lidhje, sepse renditja e bonboneve në të, megjithatë përkujton në hartën e Turqisë”, shkruan gazeta serbe Novosti.

Nga ana tjetër Goran Papoviq, kryetari i Organizatës Kombëtare serbe për Mbrojtje të Konsumatorit thotë se ende askush nuk i ka parë këto ëmbëlsira në shitoret e Serbisë.

“Ky tregim është i vjetër tashmë një vit e gjysmë, edhe madje kur kemi dëgjuar për herë të parë për këtë, askush nuk e ka sjellë te ne, kështu që ne këtë bonbonierë kurrë nuk e kemi parë”, ka thënë Papoviq për mediet serbe.

“I bëjmë thirrje atij i cili e ka publikuar këtë, të vijë te ne dhe të na sjellë atë, së bashku me kuponin fiskal. Sepse na nevojiten dëshmitë. Ndërsa ajo që në të shihet harta e Shqipërisë së Madhe apo që në deklaratë shkruan “import nga Kosova”, është problemi më i vogël. Në pyetje është kualiteti i mallit”, pretendon Papoviq, dhe vazhdon: “Nuk është e qartë se prej nga ka dalë pikërisht tani ky tregim, derisa këtë prodhim ende askush nuk e ka parë”.

Të përkujtojmë, vetëm para disa orëve, mediet serbe kanë transmetuar “ankesat dhe zemërimet” e konsumatorëve “anonim”, të cilët kanë deklaruar për Novosti, se “pasi i kanë blerë këto ëmbëlsira, menjëherë pasi e kanë hapur kapakun e kanë njohur hartën e Shqipërisë së Madhe (!!!)” të vizatuar me ëmbëlsira, si dhe deklaratën në kuti “import nga Kosova”./insajderi/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme