8 Gusht, 2025 - 8:43 pm
Nga data 8 deri më 10 gusht 2025, Prishtina mirëpret edicionin e 9-të të festivalit ndërkombëtar të artit urban “Meeting of Styles Kosova”, një ngjarje që tashmë është shndërruar në pjesë të rëndësishme të skenës kulturore dhe urbane në vend.
E veçanta e këtij festivali qëndron në faktin se zhvillohet në një vend të pasluftës, duke sjellë jo vetëm ngjyra dhe kreativitet në hapësirat publike, por edhe një dimension të thellë reflektimi shoqëror.
Tema e këtij viti, “Kauza e Zgjedhur”, fton artistët dhe vizitorët të reflektojnë mbi empatinë, unitetin dhe ndikimin që sjellin zgjedhjet tona të përditshme, përcjellë KultPlus.
Në këtë edicion pritet të marrin pjesë rreth 100 artistë nga 29 vende të botës, të cilët përmes grafiteve dhe muraleve do të ndërtojnë ura komunikimi ndërkulturor dhe do të japin një zë të fuqishëm përmes artit në mure. “Meeting of Styles Kosova” nuk është thjesht një festival i grafitit, por një platformë ndërkombëtare që promovon artin si mjet për ndryshim shoqëror dhe bashkëjetesë kulturore në një realitet post-konflikti./KultPlus.com