13 Maj, 2025 - 11:01 am
Më 13 maj të vitit 1842 lindi Mehmet Ali Pashë Vrioni, atdhetar, politikan, diplomat shqiptar e nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Mehmet Ali Pashë Vrioni është babai i kryeministrit të shtetit shqiptar, Ilias Bej Vrioni dhe gjyshi i përkthyesit të shquar, Jusuf Vrioni.
Nënkryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878, kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Berat, anëtar i Shoqërisë së Stambollit, anëtar i Komitetit të Janinës, anëtar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Misioni më i madh i jetës së tij qe zgjidhja e çështjes shqiptare. Forcat e tij u përqendruan në ndërmarrjen më të madhe kombëtare të asaj kohe, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, e cila hapi Kuvendin më 10 qershor 1878 me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kryetar i Lidhjes së Prizrenit u shpall Abdyl Bej Frashëri dhe nënkryetar i saj Mehmet Ali Pashë Vrioni.
Fill pas punimeve të Lidhjes së Prizrenit Mehmet Ali Pasha, udhëhoqi së bashku me Abdyl Bej Frashërin, përfaqësinë shqiptare në Kongresin e Berlinit ku kërkuan: bashkimin e katër vilajeteve shqiptare dhe njohjen e tyre si territor autonom nën kuadrin e Perandorisë Osmane; përgatitjen politiko-ushtarake të këtij terrirori shqiptar; sigurimin e përkrahjes për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Më 30 mars 1879 Mehmet Ali Pashë Vrioni së bashku me Abdyl Bej Frashërin u nisën sërish nga Preveza në drejtim të kryeqyteteve kryesore të Evropës për të siguruar përkrahje për çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Vdiq në vitin 1895./atsh/KultPlus.com