Memorandum mirëkuptimi për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë

27 Janar, 2021 - 9:26 pm

Në Ditën e Kujtesës së viktimave të Holokaustit, Ministria e Kulturës, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) dhe Bashkia e Vlorës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi, duke u angazhuar së bashku në ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë.

Muzeu do tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë; një histori bese, dëshmia e dimensionit europian të shqiptarëve, që e treguan më shumë se çdo europian tjetër, në kohërat më të errëta të historisë njerëzore.

Ministria ka ndërmarrë iniciativën për ngritjen e Muzeut Hebraik të Shqiptareve në Vlorë, në kuadër të rehabilitimit të Qendrës Historike të Qytetit të Vlorës, iniciativë e miratuar në parim nga Komisioni Shtetëror i Muzeve në vitin 2018.

Në kuadër të bashkëpunimit me Ministrinë dhe Bashkinë në projektin për rehabilitimin e Qendrës Historike Vlorë, AADF ka kryer një fazë kërkimore për zhvillimin e projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik te Shqiptareve në Vlorë, nëpërmjet angazhimit të një konsulenti ndërkombëtar e cila u përmbyll me propozimin nga Ministria dhe AADF të projekt idesë paraprake për zhvillimin e projektit të Muzeut.

Projekt-ideja parapake për Muzeun Hebraik të Shqiptarëve e zhvilluar nga AADF në bashkëpunim me Ministrinë u miratua nga Këshilli Kombëtar i Muzeve dhe Këshilli Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore Materiale.

AADF, Ministria dhe Bashkia janë angazhuar të bashkëpunojnë për realizimit të projektit të ngritjes së Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë, që do të tregojë një histori unike, dedikuar bashkëjetesës së hebrejve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë si dhe të vendosin një standard të ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, përsa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit.

Projekti do të zhvillohet përgjatë tri fazave. Faza e parë do të jetë ajo kërkimore për konceptimin e përmbajtes për muzeut. Faza e dytë do të jetë për përgatitjen e projektit arkitektonik dhe të muzealizimit dhe në fazën e tretë parashikohet zbatimi i punimeve dhe përgatitja e programacionit të muzeut. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme