Mes emocioneve, u përmbyll nata finale me leximin e dhjetë eseve në ‘Pen for Culture’

27 Janar, 2020 - 10:55 am

Aktivitetet e mirëfillta me gjeneratat e reja konsiderohen të pakta në vendin tonë, por organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetje të Ambasadës Amerikanë në Kosovë, kanë bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt. Punëtoria “Pen For Culture” që për qëllim kishte fuqizimin, paqen, socializimin dhe punën ekipore nëpërmjet artit, po del të jetë një projekt me ndikim të madhe tek të rinjtë. Përveç kreativitetit të tyre, përmes kësaj punëtorie ata kanë arritur të nxisin mendimin kritik gjë që do të ju shpërbejë në shumë dimensione të jetës në të ardhmen, shkruan KultPlus.

Në këtë fazë të dytë të projektit, “Pen For Culture” mblodhi dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç të cilët kishin talent në të shkruar, ese.

Punëtoria u mbajt për tre ditë radhazi në Resortin “Ujëvara e Drinit” në Radac, në një ambient të mrekullueshëm ku të rinjtë e kishin në ‘’ndihmë’’ edhe natyrën për të nxjerrë më të mirën nga vetja.

Nën mbikëqyrjen e profesoreshën universitare, Vjosa Sadriu – Hamiti, secili kishte përzgjedhur një temë që duhej trajtuar me patjetër e këto tema ata erdhën mbrëmë t’i shpalosin para familjarëve e publikut që po i priste në KultPlus Caffe Gallery.

Ndonëse ende të rinj, emocionet padyshim që ishin prezente te ta. Por shpejt ato i mbyten për të marrë guximin që të dalin para publikut e të shprehin përmes fjalës së shkruar: emocionet, shqetësimit e kërkesat e tyre që nuk janë të pakta në këtë moshë komplekse për njeriun.

Nën moderimin e Arbër Selmanit, nisi kjo mbrëmje e cila shpalosi shumë emocione. Selmani që në hapje dha një pasqyrë rreth këtij projekti e tutje ftoi organizatoren e këtij projekti, Ardianë Pajazitin për një fjalë rasti.

Pajaziti, përshëndeti të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë të rinjtë sfidues, që sipas saj janë me fat që janë trajnuar në këtë zhanër nga një doktor shkence, siç është Vjosa Sadriu – Hamiti.

“Në gjithë këtë trajnim padyshim një rol të madh ka pasur edhe profesoresha Vjosa Sadriu – Hamiti, e cila ka mësuar të rinjtë për formën e të shkruarit një ese, qasjen kritike, si dhe transmetimin e emocioneve nga të rinjtë”.

Ndërsa profesoresha Vjosa Sadriu Hamiti tha se është shumë e lumtur që ka pasur rastin të mësojë nxënës kaq të talentuar të cilët vijnë nga komuna të ndryshme si dhe falënderoi KultPlus-in për mundësinë dhe respektin. Ajo gjithashtu u shpreh se këta nxënës tashmë e kanë një bazë se si duhet t’i qasen një eseu.

Teksa fjalë nga më të mirat u thanë për këta të rijnë, aty vetëm sa po rritej doza e përgjegjësisë dhe emocionet e daljes para publikut. Këtë emocion, e para e theu pjesëmarrësja Lume Selmani e cila fillimisht para të pranishmëve u shpreh jashtëzakonisht falënderuese për këtë mundësi që i është dhënë, duke potencuar që kjo ka qenë një punëtori ku përveç që kanë marrë mësime, kanë krijuar shoqëri e tani po provojnë të shpalosin emocionet, kërkesat e shqetësimet e tyre edhe para publikut.

Nën tingujt e kitarës së Endrit Rexhepit, esetë e pjesëmarrësve: Lumnije Selmani, Rigona Sefa, Lorik Spahiu, Getoar Gashi, Edit Cena, Zyhrije Salihu, Dritë Shala, Albina Osmani, Arlinda Hajdaraj dhe Flora Halimit, derdhën plot emocion.

Adoleshenca, familja, varfëria, pabarazia gjinore, ngrohja globale, pozita e gruas në shoqëri e minoritetet, ishin vetëm disa nga temat që u shpalosën në këtë mbrëmje.

E të rinjtë mbetën me shpresë që kanë arritur të shpalosin shqetësimet e moshës së tyre kritike, ndërsa prindërit e pranishëm u njoftuan me një botë tjetër të fëmijëve e ndoshta edhe mësuan shumëçka nga ta.

Pas leximit të të gjitha eseve, moderatori Selmani falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen, të rinjve suksese dhe njoftoi se KultPlus nuk do të ndalet me angazhime të tjera në të mirë dhe për kulturën e artin.

Në fund, nën tingujt e muzikës së artistit Endrit Rexhepi, të rinjtë u argëtuan me muzikë e vallëzim, duke u shoqëruar me pije e ushqim. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme