Mes kujtimit të së kaluarës dhe reflektimit në të ardhmen, përkujtohen viktimat e Holokaustit

3 Shkurt, 2023 - 11:20 am

Flonja Haxhaj

Për herë të parë në Kosovë, në dy vjetorin e shënimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit dhe në shënimin e 78-vjetorit të Holokaustit, u mbajt ceremoni përkujtimore në Ditën Ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të ngjarjes që mbeti një njollë e zezë në histori, shkruan KultPlus.

Rreth 6 milionë hebrenj u vranë mizorisht në kampet e përqendrimit të Gjermanisë naziste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në mesin e tyre gra, burra e fëmijë.

 Në këtë akademi përkujtimore, e para fjalën e mori ambasadorja  e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv e cila u shpreh e nderuar për organizimin e kësaj ceremonie, e cila vjen pas dy vitesh marrëdhënie diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.

“Shteti i Izraelit dhe Republika e Kosovës shënojnë sot 2-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me njëri-tjetrin. Dhe sot është një nder i madh të mblidhemi këtu në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës për t’iu bashkuar ceremonisë së përkujtimit organizuar për herë të parë në Kosovë në nderim të Ditës Ndërkombëtare të kujtimit të Holokaustit”, u shpreh Ziv

“Kanë kaluar saktësisht 78 vite, që nga janari i vitit 1945, dita e çlirimit të Aushvicit, kampit gjerman të koncentrimit, e kjo ndodhi pas pesë viteve vonesë. Kampi i Aushvicit ishte fabrika më e madhe e vdekjes në Luftën e Dytë Botërore, e fatkeqësisht edhe në kampet e tjera ky horror vazhdoi për muaj të tërë”, tha Ziv duke përkujtuar viktimat e Holokaustit, një prej ngjarjeve më të rënda në histori.

Më pas, fjala iu dha kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili fillimisht shprehu mirënjohjen e tij në pjesëmarrjen e ceremonisë përkujtimore të viktimave të Holokaustit, që u mbajt për herë të parë në Kosovë.

“Si një shenjë e një miqësie të re mes dy kombeve, ne jemi mbledhur këtu për të përkujtuar Holokaustin, një prej rezultateve më të errëta të historisë së njerëzimi”, deklaroi kryeministri Kurti.

“Në mes të kësaj errësire kishte edhe një fije drite, 27 janari i vitit 1945 nuk ishte një ditë e trishtë, por një ditë e lumtur sepse atë ditë Aushvici u çlirua dhe ka gjithashtu histori të njerëzve të guximshëm në mbarë Evropën, përfshirë edhe familje nga Kosova që me dëshirë u siguruan strehim miqve, fqinjëve dhe refugjatëve hebrenj, ndonjëherë në rrezik të madh edhe për veten e tyre”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

I ftuar në këtë ceremoni përkujtimi ishte i pranishëm ishte edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, i cili u shpreh se për të të jetë në këtë ngjarje i jep shpresë dhe dëshmi për një të nesërme më të mirë.

“Jemi mbledhur këtu për të përkujtuar Holokaustin, për të kujtuar të kaluarën dhe gjithashtu për të reflektuar në të tashmen dhe në të ardhmen. Holokausti është një prej katastrofave më të mëdha të shkaktuara nga njerëzimi, një ngjarje horror i cili la të vdekur rreth gjashtë milionë gra, burra e fëmijë hebre”, tha diplomati gjerman.

Ndërkaq, në këtë ceremoni foli edhe Lekë Rezniqi, stërnip i Asllan Mustafa Rezniqit, kosovarit të parë me titullin ‘Fisnik mes kombeve’ i dekoruar nga instituti ‘Yad Vashem’ për kontributin e tij në shpëtimin e hebrenjve në Kosovë.

Lekë Rezniqi tregoi rrëfimin e familjes së tij për shpëtimin e hebrenjve dhe tregimin e zbulimit të tyre, duke theksuar se akte të ngjashme kishin kryer edhe shumë familje të tjera shqiptare.

“Dua të përfundoj duke nënvizuar edhe një herë vlerën e studimit të vazhdueshëm të kësaj historie në kombin tonë, për të cilin ne kemi shumë nevojë, si dhe edukimin për Holokaustin, të cilit i jam përkushtuar sinqerisht dhe me zjarr për brezat e ardhshëm”, përfundoi ai.

Pas këtyre fjalimeve, kompozitori Valton Beqiri dhe sopranoja Besa Llugiqi interpretuan këngët “Eli, Eli, shelo yigamer le’olam” (“Zoti im”), të bazuar në poemën e titulluar “LeKeisarya” (Çezarea), të shkruar nga ish-luftëtarja e rezistencës hebreje hungareze e Luftës së Dytë Botërore, Hannah Szenes, të cilën kompozitori izraelit David Zehavi e shndërroi në këngë më 1945 dhe Këngën “Ha’ayara Bo’eret” (“Qyteti i vogël po digjet”), teksti i së cilës buron nga poema e vitit 1936 “Es brennt” nga Mordechai Bertig, një poet dhe kompozitor polak me ndikim i periudhës së mes luftës, i vrarë nga nazistët më 1942.

Po ashtu aktorja Fitore Jashari interpretoi një monolog të bazuar në romanin e Annelies Marie “Anne” Frank, një vajzë hebreje e lindur në Gjermani, e cila mbante një ditar në të cilin dokumentonte jetën e fshehur nën persekutimin nazist.

Gjithashtu, për të pranishmit u dha edhe dokumentari “Ata më dhanë jetë” (“They Gave Me Life”) me protagoniste Rena Quint, e mbijetuar e Holokaustit.

E krejt në fund, u ndezën gjashtë qirinj, një nga një, në kujtim të gjashtë milionë viktimave të Holokaustit./ KultPlus.com

Të ngjajshme