Meta: Thellësisht i pikëlluar për vdekjen e Avni Mulës, kolosit të muzikës dhe artit shqiptar

30 Tetor, 2020 - 9:42 am

Presidenti Ilir Meta ka shprehur mëngjesin e sotëm ngushëllimet e tij për vdekjen e kompozitorit Avni Mula.

Në një postim në mediat sociale, Presidenti shprehet se Mula ishte një personalitet i jashtëzakonshëm, një intelektual i spikatur dhe një figurë e dashur dhe respektuar nga të gjithë.

“Thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të një prej kolosëve të muzikës dhe artit shqiptar, Avni Mula, personalitet i jashtëzakonshëm, intelektual i spikatur, model i përhershëm qytetarie, figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë!”, shkruan Meta.

Më tej kreu shtetit shton se ikja e muzikantit është një humbje e madhe dhe i shpreh ngushëllimet familjarëve.

“Humbje e madhe që le pas shumë dhimbje! Në këto momente të vështira, jam pranë Invës, familjes së dashur Mula dhe komunitetit të artistëve! Ngushëllimet më të ndjera dhe i paharruar kujtimi i Tij! Lamtumirë Mjeshtër! U prehsh në paqen e merituar!”, përfundon Meta.

Lajmin për vdekjen e tij e dha Inva Mula, vajza e tij. Avni Mula ishte nderuar me titullin Artisti i Popullit dhe Nderi i Kombit. / KultPlus.com

Të ngjajshme