Meteoriti më i madh marsian, i gjetur në Tokë shitet 4,3 milionë dollarë

16 Korrik, 2025 - 10:30 pm

Meteoriti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në Tokë u shit sot në një ankand të Sotheby’s, në Nju Jork 4,3 milionë dollarë, sipas AP.

Sipas shtëpisë së ankandeve, meteoriti (25 kilogramë) besohet se është hedhur në erë nga sipërfaqja e Marsit nga një goditje masive asteroidi – përpara se të udhëtonte 225 milionë kilometra drejt Tokës, ku u rrëzua në Sahara.

“Një gjuetar meteoritësh e gjeti atë në Niger në nëntor të vitit 2023”, tha Sotheby’s.

“Meteoriti në ngjyrë të kuqe, kafe dhe gri – i njohur si “NWA 16788″, është 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit – e gjetur në Tokë dhe përfaqëson gati 7% të të gjithë materialit marsian aktualisht në këtë planet”, tha Sotheby’s.

“Gjithashtu ky është një zbulim i rrallë. Janë vetëm 400 meteoritë marsiane – nga mbi 77 000 meteoritë të njohur – zyrtarisht të gjetur në Tokë”, tha Sotheby’s.

Një pjesë e vogël e mbetjes së meteoritit të kuq u hoq dhe u dërgua në një laborator të specializuar që konfirmoi se vinte nga Marsi.

Meteoriti u krahasua me përbërjen kimike të dallueshme të meteoritëve marsianë të zbuluar gjatë sondës hapësinore “Viking” që zbriti në Mars në vitin 1976.

Ekzaminimi zbuloi se është një lloj shkëmbi marsian i formuar nga ftohja e ngadaltë e magmës marsiane.

“Ai ka një strukturë të trashë dhe përmban mineralet piroksen dhe olivinë”, tha Sotheby’s./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme