Mijëra gra protestojnë kundër Erdoganit pas largimit nga Konventa e Stambollit

27 Mars, 2021 - 9:25 pm

Disa mijëra gra dolën në rrugë në Stamboll të shtunën për të kërkuar që Turqia të ndryshojë vendimin e saj për t’u tërhequr nga një traktat ndërkombëtar kundër abuzimit në familje.

Presidenti Tayyip Erdogan shokoi aleatët evropianë me njoftimin e javës së kaluar, se Turqia po tërhiqej nga Konventa e Stambollit. Qyteti është vendi ku u hartua kjo konventë, më 2011-ën, raporton Reuters, përcjell Gazeta Express.

Turqia ishte një nga nënshkruesit e parë dhe gratë thonë se siguria e tyre është rrezikuar nga lëvizja e Erdogan kundër traktatit evropian.

Mes një pranie të shtuar të forcave të rendit, protestuesit u mblodhën në shesh në Stamboll duke tundur flamuj të purpurt dhe duke brohoritur parulla “Vrasjet e grave janë politike”. Një pankartë shkruante, “Mbroni gratë, jo autorët e dhunës”.

“Tërheqja nga Konventa e Stambollit është një katastrofë për miliona gra dhe fëmijë që jetojnë në këtë vend”, i tha Reuters drejtori i Amnesty International Turkey Ece Unver, duke bërë thirrje që Ankaraja të ndryshojë vendimin.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se 38% e grave në Turqi janë subjekt i dhunës nga partnerët gjatë jetës së tyre, krahasuar me 25% në Evropë. /GazetaExpress/KultPlus.com

Të ngjajshme