10 Korrik, 2025 - 5:50 pm
MIK Festival rikthehet këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.
Bashkimi Evropian mbështet mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, që mbahet nesër më 11 korrik ora 20:00 në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë, dedikuar artistit të madh të muzikës lirike Gaqo Çako, Nder i Kombit.
Ky homazh sjell një ndërthurje të elegancës vokale me përkushtimin shpirtëror, duke rikthyer në skenë frymën e një epoke të artë të interpretimit operistik shqiptar.
Në koncert performojnë Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, dhe Xhoiden Dervishi. Koncerti shoqërohet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, nën drejtimin e mjeshtrit të madh Eno Koço.
Kulmi emocional i mbrëmjes pritet të jetë performanca përmbyllëse, ku Inva Mula do të interpretojë së bashku me të birin, një moment simbolik që përfaqëson vazhdimësinë e një trashëgimie familjare, por edhe lidhjen intime mes muzikës dhe traditës.