Miliarderi japonez kërkon tetë persona për të udhëtuar bashkë drejt Hënës

3 Mars, 2021 - 9:03 am

Miliarderi japonez, Yusaku Maezawa, ka ftuar tetë njerëz t’i bashkohen në udhëtimin drejt Hënës me fluturimin e anijes “SpaceX” të Elon Muskut.

“Dua njerëz nga të gjitha profesioneve të vijnë”, ka thënë ai në një video në Twitter, ku ka ndarë një vegëz për detajet për aplikim.

Ka thënë se do të paguajë për të gjithë udhëtimin, andaj ata që shkojnë me të do të kenë udhëtimin falas.

Misioni, i quajtur “dearMoon”, do të niset më 2023.

Aplikuesve u duhet të përmbushin dy kritere kryesore: Duhet të jenë në gjendje “të ndihmojnë të tjerët dhe shoqërinë në ndonjë mënyrë” dhe “të përkrahin pjesën tjetër të ekipit me të cilët kanë aspirata të njëjta”.

“Kam blerë të gjitha ulëset, do të jetë udhëtim privat”, ka shtuar ai.

Moguli i modës kishte njoftuar kohë më parë se planifikonte të ftonte artistë për udhëtimin e veçantë, por ka shtuar se “donte t’u jepte mundësinë të gjithë njerëzve nga e gjithë bota që ta kryejnë këtë udhëtim”.

Vitin e shkuar, ai po ashtu lansoi një fushatë me të cilën kërkonte të dashur për t’iu bashkuar në udhëtim, para se ta anulonte për shkak të “ndjenjave të përziera”.

Më 2018, Maezawa u bë pasagjeri i parë privat që do të niset drejt Hënës me “SpaceX”, kompani e Elon Muskut të famshëm, që ka edhe “Teslan”.

Çmimi që ai ka paguar për biletën e tij mbetet i panjohur, por Musk pati thënë se “kishte paguar shumë para”.

I planifikuar për 2023, misioni është i pari për njerëzit drejt Hënës që nga viti 1972. / KultPlus.com

Të ngjajshme