Ministri Çeku: Inva Mula e gatshme të kontribuojë në skenën kulturore kosovare

17 Prill, 2021 - 10:50 pm

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka mirëpritur sot një nga personalitetet më të shquara të kulturës operistike shqiptare dhe botërore, Inva Mulën, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga ana e MKRS-së ku kanë treguar se vizita e sopranos është bërë në mënyrë spontane për të shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuuar në skënën kulturore kosovare.

“Diva jonë mbarëshqiptare me modestinë, thjeshtësinë dhe qasjen e saj dashamirëse e uroi ministrin Çeku për postin e ri dhe e njoftoi për projektet e ndryshme të saj duke shprehur gatishmërinë të kontribojë në skenën kulturore kosovare”, shkruhet ndër të tjera në njoftim.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kënqësinë e veçantë të mirëpriste një nga personalitetet më të shquara të kulturës operistike shqiptare dhe botërore, zonjën Inva Mula.

Zonja Inva Mula e nderoi me praninë e saj Ministrin Hajrulla Çeku dhe një pjesë të kabinetit të tij, shefen e kabinetit Klodeta Krasniqi dhe këshilltarin për kulturë Liburn Jupolli në një vizitë spontane për të shprehur mbështetjen për punën e kësaj ministrie.

Inva Mula, figurë eklatante e sopranos koncertante me famë botërore dhe punë që shtrihet në shumë sfera stilistike, fituese e shumë çmimeve me profil operistik nga mosha e re, me nje bagazh përvoje pedagogjike e deri te prezenca e saj në kinematografi botërore, gjegjësisht në filmin e famshëm “Elementi i pestë”.

Diva jonë mbarëshqiptare me modestinë, thjeshtësinë dhe qasjen e saj dashamirëse e uroi ministrin Çeku për postin e ri dhe e njoftoi për projektet e ndryshme të saj duke shprehur gatishmërinë të kontribojë në skenën kulturore kosovare./ KultPlus.com

Të ngjajshme