Ministri Çeku: Majlinda Kelmendi tani i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror, Driton Kuka, në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës

6 Dhjetor, 2021 - 10:30 pm

Nën organizimin e Presidencës së Kosovës, është mbajtur ceremonia për nderimin e xhudistes Majlinda Kelmendi dhe kalimin e saj nga një sportiste aktive në arenën e sportit të xhudos në trajnere.

Në Institutin e Historisë ” Ali Hadri” në Prishtinë, ku u mbajt ceremonia, përveq Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës e Majlinda Kelmendit, morën pjesë, Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos të Kosovës, Driton Kuka, Trajner i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, familja e Majlinda Kelmendit, kryetarë të partive politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe personalitete tjera publike dhe sportive.

Me një video mesazh nderimi e falënderimi në ceremoni mori pjesë edhe Marius Vizer, Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, në pamundësi të të jetë i pranishëm fizikisht në Prishtinë, njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me këtë rast, ministri Hajrulla Çeku përmes një postimi në rrjetet sociale, falënderoi xhudisten Majlinda Kelemendi duke i uruar asaj shëndet, mbarësi e suksese të radhës si trajnere.

“Çika jonë e artë sonte mbylli karrierën e saj si sportiste aktive. Majlindës iu nda Urdhri “Shotë Galica” nga Presidentja Vjosa Osmani. Tani e tutje, ajo i bashkohet trajnerit të kalibrit botëror Driton Kuka në edukimin e kampionëve të ardhshëm të Kosovës.

Faleminderit kampione, paç shëndet e mbarësi, të uroj suksese të radhës si trajnere“, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme