Ministri Çeku: Nevojitet politikë kombëtare për fuqizimin e rinisë në Kosovë

16 Dhjetor, 2021 - 8:23 pm

Instituti Kombëtar Demokratik (National Democratic Institute Kosovo) ka organizuar sot konferencën e të rinjve “Të rinjtë flasin për qeverisjen” në kuadër të fushatës globale për të mbrojtur aspiratat e të rinjve për t’i ndihmuar që të dëgjohet zëri i tyre.

Në këtë konferencë ndër të tjera u diskutua për perspektivën dhe qëndrimet e të rinjve të Kosovës nga të gjitha komunitetet në lidhje me çështjet aktuale sociale, politike, të ambientit dhe ekonomike lidhur me llogaridhënien dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe qeverisjes.

Në kuadër të saj u prezantua një hulumtim që ka realizuar NDI Kosovo për qëndrimet dhe përshtypjet e të rinjve në raport me aktualitetin ekonomik e social që vjen si rezultat i qeverisjes, dhe në kuadër të tri paneleve diskutuese u trajtuan temat e Solidaritetit ndërmjet gjeneratave, vlerësimi për Këshillat e Veprimit Rinor Lokal (KVRL) si dhe KVRL-të si mekanizma për fuqizimin e të rinjve.

Në këtë konferencë morën pjesë Ministri Hajrulla Çeku, Nancy Soderberg, drejtore e NDI-Kosovë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Agon Batusha, Besian Mustafa, Driton Bardheci e Ganimete Musliu, që ishin diskutuesit e panelit të parë bashkë edhe me Rachel Mims nga NDI në Uashington, Driton Bardheci, Kryesues i Forumit të të rinjve të AAK-së, përfaqësues të organizatave rinore të të gjitha komuniteteve.

Ministri Çeku foli për përkushtimin e institucioneve dhe përfshirjen e të gjitha ministrive për krijim të mirëqenjes së të rinjëve.

“Politikat dhe ligjet që i kemi sot në fuqi kanë buruar kryesisht nga Ministria e Rinisë duke u kufizuar vetëm në një institucion, që si strukturë vetëm ajo të merret me rininë. Kemi nevojë të kalojmë në një nivel tjetër, në politikën kombëtare për zhvillimin e rinisë dhe ku të gjithë bashkërisht do të kemi detyra specifike. Ne e kemi marrë një hap në këtë drejtim, e kemi themeluar Këshillin Shtetëror për Rininë, ku janë të përfaqësuara të gjitha ministritë dhe institucionet e organizatat e tjera dhe kemi kërkuar nga secili të kenë përfaqësuesit e tyre”-tha Çeku.

Ndërsa Nancy Soderberg, tha se aktiviteti i sotëm ka për qëllim avokimin e çështjeve që e preokupojnë rininë që ata vërtetë të jenë zëri i së ardhmes përmes përfshirjes dhe kontributit të tyre në jetën politike. Ajo tha se të rinjtë e shohin realitetin si do të duhet të ishte e jo siç është, ata janë zëri i ndryshimit, dhe nga kjo konferencë pret që të dalim me një plan të përbashkët për të adresuar nevojat dhe kërkesa e të rinjve të Kosovës, ka thënë Soderberg./KultPlus.com

Të ngjajshme