Ministri Çeku: Kjo valë intensive e sukseseve ndërkombëtare po transformon jo vetëm ambiciet përbrenda, por edhe imazhin tonë ndërkombëtar

23 Prill, 2024 - 9:53 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar për sukseset e disa artistëve të vendit, të cilët brenda pak ditësh kanë korrur suksese ndërkombëtare.

Ministri Çeku ka thënë se vetëm brenda vetëm disa ditësh, artistët nga Kosova kanë arritur të sjellin në realitet atë që gjithmonë ka pritur dhe ëndërruar vendi ynë.

Ai më tutje ka thënë se kjo valë intensive e suksese të artistëve tonë po transformon jo vetëm ambiciet përbrenda, por edhe imazhin tonë ndërkombëtar duke dëshmuar seriozitetin dhe pjekurinë artistike kosovare.

Më poshtë gjeni shkrimin  e plotë të tij në facebook:

Arritje të pandalshme në skena botërore të artit

Brenda vetëm disa ditësh, artistët nga Kosova po sjellin në realitet atë që gjithmonë kemi pritur dhe ëndërruar. Vala intensive e suksese të artistëve tonë po transformon jo vetëm ambiciet përbrenda, por edhe imazhin tonë ndërkombëtar duke dëshmuar seriozitetin dhe pjekurinë artistike kosovare.

Filluam me shpërblimin e fituar në Bienalen e Artit në Venedik për përfaqësim shtetëror me artisten Doruntina Kastrati, e sot u bë publike përzgjedhja e filmit të Samir Karahodës ”Rrugës” për në Festivalin e Filmit në Kanë. Samiri është filmbërësi i parë që merr pjesë për herë të dytë në këtë ngjarje përmbajtësisht të rëndësishme për industrinë e filmit.

Këtë javë në Prishtinë do të inskenohet shfaqja ”The Best European Show”, bashkëprodhim i pesë teatrove evropiane, përfshirë edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës. Jemi duke i bërë nikoqirin trupës së jashtëzakonshme të aktorëve nga tetë vende të Evropës të cilët për dy ditë do të luajnë shfaqjen para publikut vendor.

Brenda ditësh, Petrit Halilaj hap solo ekspozitën e tij në muzeun legjendar të New York, The Metropolitan Museum of Art. I pari shqiptar nga Kosova që ekspozon në The MET, madje me ekspozitë në terrasën e famshme me mbi 40 skulptura me motive nga Kosova.

E përbashkëta e të gjithëve këtyre individëve është këmbëngulja për sukses, depërtim dhe deklarim ndaj botës për kapacitetin tonë. Shembulli më i mirë i përkushtimit për të gjithë ne./KultPlus.com

Të ngjajshme