Ministri Çeku raporton para Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, punën tetë mujore të MKRS-së

7 Dhjetor, 2021 - 10:00 pm

Sot, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka raportuar para Komisonit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, punën tetë mujore të MKRS-së, përcjell KultPlus.

Këtë raportim, Çeku e ka bërë me ftesë të kryetarit të këtij komisioni, Ardian Gola.

Postimi i plotë i ministrit Çeku:

Sot, para Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, me ftesë të Kryetarit të këtij komisioni, Ardian Gola, raportova për punën tetë mujore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Më poshtë raporti përmbledhës i punëve tona në katër departamentet kryesore të ministrisë.

🔵 TRASHËGIMIA KULTURORE

🔹️Shpëtimi i trashëgimisë në rrezik

Nga vlerësimi në terren janë identifikuar 200 monumente në gjendje të rëndë. Kemi dyfishuar fondin për ndërhyrje. Deri tash kanë përfunduar dy asete, 19 janë në realizim dhe për 18 asete po zhvillohen procedurat e prokurimit, ndërsa ndërhyrjet fillojnë ditëve në vijim. Gjatë vitit 2022, vazhdojmë me mbi 50 ndërhyrje, synimi ynë është që në vitin 2023 të mos kemi asnjë monument që është në rrezik të shkatërrimit.

🔹️Mbrojtja e përhershme

Pas shumë vitesh është riaktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë. Kuvendi e ka votuar Bordin e ri të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Gjatë këtij muaji dorëzojmë 30 dosje të nominimit në KKTK për mbrojtje të përhershme. Ky proces dinamik do të vazhdojë gjatë tërë vitit 2022. Gjithashtu, kemi shtuar 17 asete në listën e mbrojtjes së përkohshme, ndër ta Teatri Dodona, Kino Rinia, Shkolla Gjon Sereçi, Burgu i Gurrakocit, Koleksioni privat i krijimtarisë së të ndjerit Shaqir Hoti.

🔹️Restaurimi dhe menaxhimi

Ndërhyrjet restauruese janë duke u realizuar ose janë në fazë të nisjes së puneve në 6 monumente: Muzeu Etnologjik Emingjiku në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Kinemaja e Parë në Prizren, Hani i Haraqisë në Gjakovë, Kulla e Sheremetit në Peje, Shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, pastaj në disa monumente brenda Qendrës Historike të Prizrenit, përfshi Hamamin e Gazi Mehmet Pashës. Restaurimi i monumenteve do të jete proces i përhershëm, në vazhdimësi të ndërhyrjeve emergjente. Për vitin 2022 kemi planifikuar buxhet prej  8.4 milonë EUR, nga të cilat 1 milionë EUR për ndërhyrje emergjente. Do të sigurohemi që restaurimet të përcillen me plane menaxhimi dhe funksionalizim të monumenteve. Aktualisht janë në proces të hartimit tri plane të menaxhimit: Lokaliteti Arkeologjik Ulpiana, Hamami i Prishtinës dhe Çarshia e Pejës. 

🔹️Korniza regullative

Kemi punuar intensivisht në përmirësimin e kornizës rregullative në fushën e trashëgimisë kulturore. Ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ për Kërkime Arkeologjike. Në proces të diskutimit publik janë: Udhëzimi Administrativ për licencat dhe Udhëzimi Administrativ për Trashëgiminë e luajtshme. Në proces të hartimit janë Rregullorja për perimetra dhe zona mbrojtës të aseteve dhe Udhëzimi administrativ për inventarizim të trashëgimisë kulturore. Përmes këtij legjislacioni sekondar do të përcaktojmë perimentrin dhe zonat e mbrojtjes dhe integrojmë trashëgiminë në planet hapësinore, do të sigurohemi që ndërhyrjet në monumente kryhen nga operatore profesional, do të sigurojmë kriteret profesionale për kërkime arkeologjike, dhe mbrojtje të trashëgimisë së luajtshme, si dhe sigurohet një proces i integruar i inventarizimit, vlerësimit dhe mbrojtjes së përkohshme / përhershme, në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet kompetente. Gjatë vitit 2022 do të vazhdojme me hartimin e këtyre akteve nën-ligjore: Udhëzimi Administrativ për Hartimin e Projekteve Konservuese, dhe Udhëzimin Administrativ për Trashëgimi Shpirtërore. 

🔹️Mbështetja financiare

Mbështetja totale financiare për organizatat dhe individët në fushën e trashëgimisë kulturore për vitin 2021 është 913,893.000 EUR. Krahasuar me vitin 2020 mbështetja është rritur 3.5 fish, ndërsa në krahasim me 2019 është rritur dhjetë fish.

🔹️Bashkëpunimet

Kemi nisur një numër bashkëpunimesh për të konsoliduar sistemin e mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore. Me MMPHi dhe organizatën Trashëgimia Kulturore pa Kufij po e zhvillojmë sistemin e integruar për menaxhim të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Me Shqipërinë sapo kemi nënshkuar marrëveshjen për mbështetje profesionale për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. I kemi dhënë dinamikë të re projekteve kapitale të IPA me Bashkimin Europian, përfshi Ulpianën, Marin Barletin, Kino Lumbardhin, Janjevën. Jemi në proces të marrëveshjes për bashkëpunim në muzeologji me Ministrinë e Kulturës të Austrisë.

🔹️Komiteti për “Adem Jasharin”

Është themeluar Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për herë të parë është realizuar studimi profesional i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit, janë hartuar projektet e ndërhyrjeve emergjente dhe së shpejti pritet të fillojnë punimet. Është themeluar Komisioni i Ekspertëve si trupë pofesionale e Komitetit, ndërsa gjatë pjesës së parë të vitit të ardhshëm, në bazë te rekomandimeve të Komisionit të Ekspertëve do të marrim vendim për hapat drejt master planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

🔹️Komisioni për shkatërrimin e trashëgimisë

Është themeluar Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat Serbe, gjatë luftës 1998-1999. Kjo është nismë e ndërmarrë për herë të parë nga institucionet e shtetit, ndërsa mbi bazen e te gjeturave do të përgatitet edhe kërkesa për dëmshpërblim. Ky komision ka në përbërje ekspertë e akademik, vendor dhe ndërkombëtar nga fusha e trashëgimisë kulturore. Puna e këtij komisioni planifikohet të përfundojë gjatë vitit 2022.

🔹️Artefaktet

Për herë të parë është marrë nisma për kërkimin e kthimit të artefakteve arkeologjike dhe etnologjike nga Muzetë në Beograd. Nisma e marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës është mbështetur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pas letrës së Muzeut Kombëtar të Kosovës drejtuar muzeve përkatës në Beograd, cështjen e kemi ngritur edhe në nivel të ICOM, Komisionit Ndërkombëtar të Muzeve. Jemi në koordinim me delegacionet e Shqipërisë dhe Austrise brenda ICOM për të rritur presionin mbi muzetë e Beogradit. 

🔹️Manastiri i Deçanit dhe UNESCO

Kemi kundështuar në të gjitha format përfshirjen e Manastirit të Deçanit në Listën e organizatës Europa Nostra për monumentet më të rrezikuara të Europës. Europa Nostra ka premtuar që do të vije në Kosovë për një vlerësim të gjendjes, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri sot. Paralelisht kemi kërkuar nga ICOMOS International një vlerësim profesional për Manastirin e Deçanit qe quhet “Heritage Impact Assessment”. Ky vlerësim do të na ndihmoje të vazhdojmë insistimin tonë në raport me UNESCO që të largoj katër monumentet e Kosoves nga Lista e Trashëgimisë Botërore në rrezik. Jemi duke u koordinuar me shtetet mike të Kosovës në mënyrë që në mbledhjen e radhës të Komitetit Botëror të Trashëgimisë në kuadër të UNESCO, të shqyrtohet kërkesa jonë për vlerësimin e gjendjes së këtyre katër monumenteve dhe largimin e tyre nga kategoria në rrezik. Paralelisht jemi duke e hartuar planin zbatues për procesin e aplikimit dhe anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

🟠 KULTURA

🔸️Ligji unik për kulturën

Është themeluar grupi koordinues për hartimin e Koncept dokumentit për kulturën. Besojmë që kjo do të përbëjë bazën për ligjin unik të kulturës dhe strategjinë kombëtarë për kulturë. Në vizionin tonë, korniza rregulluese e kulturës ka nevojë të rimendohet nga fillimi. Gjatë muajve të fundit kemi bërë analizat e nevojshme, kemi mbledhur informacion dhe po zhvillojmë diskutime me komunitetet artistike. Dy janë grupet kryesore të synuara, institucionet publike të kulturës dhe skena e pavarur kulturore.

🔸️Institucionet publike të kulturës

Jemi duke punuar intensivisht për menaxhim financiar efikas dhe autonom të institucioneve publike te kulturës. Planet vjetore të prokurimit, aktivizimi i petty cash, angazhimi i zyrtarëve shtesë financiarë janë disa nga veprimet e ndërmarra deri në këtë moment. Janë kryer disa ndërhyrje në infrastrukturën fizike të këtyre institucioneve. Pas ndërhyrjeve të domosdoshme në Teatër dhe Balet sivjet, gjatë vitit 2022 do të shkojmë në renovim të plotë të ndërtesës që akomodon Teatrin Kombëtar dhe Baletin Kombëtar. Kemi siguruar hapësirë shtesë të Pallati i Rinisë për Filharmoninë, Operën, Baletin, Teatrin, QKK. Janë shpallur pozitat drejtuese të institucioneve publike të kulturës. Synojmë që gjatë pjesës së parë të vitit 2022 në krye të këtyre institucioneve të kemi një gjeneratë të re drejtuesish.

🔸️Skena e pavarur kulturore

Kemi rritur mbështetjen financiare për skenën e pavarur. Mbështetja totale për organizata kulturore dhe artistë sivjet është rreth 3.8 milionë Euro, një rritje prej rreth 60 përqind krahasuar me vitin e kaluar. Për herë të parë në Kosovë ka nisur programi i blerjes së veprave të artit nga shteti. Dy komisione të përbërë nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë kanë bërë vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave. Përfitues janë 68 artistë, vlera totale e veprave të blera është 247 mijë Euro. Ky program do të jetë i përvitshëm. Kemi ndërruar praktikën e përzgjedhjes së artistit që e perfaqëson Kosovën në Bienalen e Venedikut. Për herë të parë përzgjedhja është bërë përmes një procesi të hapur dhe konkurrues. Fituesi është përzgjedhur përmes një komisioni profesional nga komuniteti artistik vendor dhe ndërkombëtar. Republikën tonë në Bienalen e Artit në Venedik në vitin 2022 do ta përfaqësojë artisti Jakup Ferri. Përmes Pakos së Ringjalljes ekonomike, kemi mbështetur bibliotekat dhe teatrot komunale. Gjithsej janë mbështetur 29 biblioteka komunale dhe 9 teatro të qytetit. Manifesta këtë vit është mbështetur me 700,000 euro, sic ka qenë e planifikuar me memorandumin e bashkëpunimit.

🔸️Korniza rregullative

Krahas ligjit unik për kulturën, me interes të madh jemi duke e trajtuar edhe ligjin e ri për kinematografinë. Përmes këtij ligji synojmë të shpallim filmin sektor të interesit të veçantë publik dhe të nxisim investime të huaja në industrinë e filmit. Një numër i madh i akteve nënligjore janë punuar: rregullorja për marrëdhënien e punës në Operë, Statuti i Operës, ndryshimi i statutit të Galerisë, plotësimi i rregullores për pagesat shtesë në Balet, dhe ndryshimi i rregullores për ansamblin rezident të Teatrit Kombëtar.

🔸️Opera dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Kemi themeluar Institucionin e Operës së Kosovës. Janë emëruar trupat drejtues, është mbajtur koncerti inaugurues, kemi siguruar hapësirat e punës dhe janë hartuar dokumentet e brendshme. Po punohet në programin artistik të vitit 2022, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Teatrin e Operës së Shqipërisë dhe gjatë vitit të ardhshëm nis procedura për ndërtesën, pra Teatrin e Operës. Për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar kulturor kemi bërë hapa konkretë për marrëveshje bilaterale. Marrëveshja për bashkëprodhim kinematografik me Republikën e Francës pritet të nënshkruhet vitin e ardhshëm. Një tjetër marrëveshje që është në proedurë miratimi është ajo me Republikën e Italisë. Ndërsa ditëve në vijim do të nënshkruajmë dokumentin për Europën Kreative.

🔸️Bashkëpunimi kulturor me Shqipërinë

Me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë kemi nënshkruar Kalendarin e Përbashkët Kulturor dhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve. Gjithashtu, në fushën e bashkëpunimit kulturor kemi nënshkruar pesë marrëveshje mes institucioneve tona artistike, bibliotekave, muzeve, parqeve arkeologjike, arkivave shtetërore.

⚫ SPORTI 

◾Investimet kapitale

Sfida kryesore në sport është kaosi në projektet e investimeve kapitale. Mungesa e projekteve, mungesa e kontratave, Memorandumet e pazbatuar me komunat, operatorë të papërgjegjshëm, probleme me pronësinë e tokave, rritja e cmimit të materialit ndërtimor dhe mbi të gjitha mungesë totale e planifikimit strategjik për orientimin e investimeve ne infrastrukturë sportive. Me gjithë këto sfida, po bëjmë më të mirën për të dinamizuar procesin. Deri tani kanë përfunduar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, Palestra sportive në Skëndëraj, stadiumi i Zhurit (pjesa që i takon Ministrisë), Stadiumi 2 Korriku dhe Ramiz Sadiku. Aktualisht kemi 37 projekte aktive të inestimeve kapitale në sport, me buxhetin e vitit 2022 synojmë përmbylljen e të paktën 15 prej tyre.  

◾Mbështetja financiare për sportin

Mbështetja për sportin elitar është rritur në krahasim me vitet paraprake. Rreth 3.5 milionë Euro është mbështetja për federatat sportive, nëdrsa totali i mbështetjes për sport pa investimet kapitale është mbi 5.6 milionë Euro. Krahasuar me dy vitet paraprake rritja është rreth 40%. Shtylla e dytë e programit tonë për sportin është sporti për të gjithë. Rëndësi të veçantë po i japim sportit shkollor dhe universitar. Kemi nisur disa programe të bashkëpunimit me ministritë e arsimit e shëndëtësisë, Universitetin e Prishtinës, federatat dhe komunat. Kampionati Botëror Universitar në Hendboll, organizimi i ligave sportive në shkollat fillore, programi i skijimit për nxënës janë disa nga programet që tashmë janë duke u realizuar.

◾Korniza rregullative

Akti më i rëndësishëm rregullativ që tashmë ka përfunduar është Udhëzimi Administrativ për licensimin e federatave sportive. Në fillim të vitit që vjen të gjitha federatat do të kalojnë përmes procesit të rilicensimit. Pjesë e agjendës legjislative janë ndryshimi i ligjit për sportin, ndryshimi i ligjit për sponsorizime, hartimi i strategjisë kombëtare të sportit dhe disa udhëzime të tjera administrative.

◾Programet e reja

Për herë të parë kemi ndarë fond të veçantë për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive. Ky fond zhvillohet në kuadër të politikës së Mjeksisë Sportive dhe përvec sportistëve janë përfshirë edhe balerinët dhe valltarët. Ka filluar zhvillimi i konceptit “Kosova Judo Nation”, një lloj brandimi ndërkombëtar i shtetit tonë përmes sportit të xhudos. Gjithashtu kemi nisur zhvillimin e databazës së integruar sportive. Së fundmi, me vendim të Qeverisë së Kosovës kemi shpalluar Majlinda Kelmendin “Qytetare me Merita të Veçanta”.

⚪ RINIA 

◽Investimet kapitale

Kemi dinamizuar procesin e ndërtimit të qendrave rinore. Në Komunën e Kamenicës është përmbyllur projekti i renovimit dhe funksionalizimit të Qendrës Rinore. Katër projekte tjera janë në proces: Qendra Rinore në Pjetërshan të Gjakovës, në Deçan, Ferizaj dhe komunën e Podujevës. Gjatë vitit të ardhshëm planifikohet përmbyllja e projekteve që janë në proces, dhe inicimi i një projekti të ri, Qendra rinore për komunën e Prizrenit.

◽Korniza rregullative

Është themeluar Komisioni Shtetëror për Rini i cili përbëhet nga ministritë e linjes dhe ka për detyrë monitorimin dhe udhëheqjen e hartimit të Strategjisë Kombëtare për Rini. Në ministritë anëtare, nga një zëvendësministër është emëruar si zëvendësminister për rini, përgjegjës për monitorimin dhe planfikimin e politikave sektoriale që ndikojnë të rinjtë. Hartimi i koncept dokumentit për Ligjin për Rini do të fillojë në vitin 2022. Do të angazhohen dy ekspertë të huaj në bashkëpunim me partnerët strategjik të Ministrisë në sektorin rinor të cilët bashkarisht me një grup punues do të bëjnë vlerësimin e sektorit rinor dhe amandamentimeve të nevojshme në ligj.

◽Programet e reja dhe bashkëpunimi

Në kuadër të programit Ëestern Balkans Youth Lab të RCC, Ministria ka siguruar asistencë teknike dhe ka angazhuar një organizate vendore për përgatitjen e një hulumtimi dhe raporti të detajuar për të rinjtë NEET në Kosovë. Gjithiashtu, Ministria vazhdon të mbështes dhe mbaj rol aktiv në RYCO si organizatë me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Është bërë lansimi i ueb faqes kosovoyouth.com në bashkëpunim me OSBE. Kjo platformë ofron mundësi informimi për të rinjtë, për mundësi punësimi, pjesëmarrje në ngjarje publike dhe avancim të njohurive dhe aftësive për të rinjtë.

◽Mbështetja financiare

Këtë vit kemi administruar gjashtë thirrje për sektorin rinor për mbeshtetje direkte për projektet e të rinjve. Nga këto thirrje janë mbështetur projekte në vlerën totale mbi 1.8 milionë Euro./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme