5 Gusht, 2025 - 10:00 pm
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF) përmbylli me sukses edicionin e tij të pestë, duke kthyer Prishtinën në qendër të muzikës operistike për dhjetë net me radhë. Ky eveniment prestigjioz u zhvillua në ambiente të ndryshme të kryeqytetit dhe solli në skenë emra të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët ofruan koncerte dhe performanca të shkëlqyera artistike.
RLIOF tashmë është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke shërbyer si një platformë ku artistët e operës nga vende të ndryshme bashkohen me publikun kosovar për të përjetuar së bashku magjinë e këtij zhanri muzikor.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një postim në rrjetet sociale, shprehu kënaqësinë për suksesin e festivalit dhe falenderoi artistin Rame Lahaj dhe gjithë ekipin e tij për punën e palodhur dhe pasionin që kanë vënë në organizimin e këtij eventi. Ai theksoi rëndësinë e këtij festivali në promovimin e kulturës dhe muzikës klasike në Kosovë dhe për vendosjen e Prishtinës si një destinacion të rëndësishëm artistik.
“RLIOF është një hapësirë ku zërat më të mirë të operës bashkohen me publikun tonë në një përjetim të rrallë kulturor. Faleminderit Rame Lahaj dhe ekipit që po e bëjnë këtë festival një ngjarje të veçantë në kalendarin artistik të vendit,” shkroi Çeku.
Festivali përfshiu një gamë të gjerë koncertesh, recitalesh dhe eventesh kulturore që patën jehonë të madhe në media dhe mes publikut, duke tërhequr dashamirës të muzikës nga e gjithë Kosova dhe më gjerë.
RLIOF pritet të vazhdojë të rritet e fuqizohet në vitet në vijim, duke ofruar mundësi për artistët e rinj dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në skenën ndërkombëtare/KultPlus.com