19 Gusht, 2025 - 11:35 am
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në raportin e publikuar nga Gallup Republika e Kosovës është renditur në vendin e 12-të në botë për ndjenjën e lartë të sigurisë, duke u pozicionuar ndër 14 shtetet më të sigurta globalisht.
Ai po ashtu ka potencuar se sipas Indeksit të Rendit dhe Ligjit, Kosova zë vendin e 8-të mes dhjetë shteteve kryesore.
“Ky është rezultat i vizionit të qartë dhe punës së pandalshme të Qeverisë sonë për këto vite. Për një Republikë të sigurt për të gjithë qytetarët tanë ku mbizotërojnë rendi dhe ligji në çdo pjesë të saj”, ka thënë Ministri Sveçla.
Lidhur me këtë, Ministri Sveçla ka thënë se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke garantuar sigurinë, rendin dhe ligjin në vendin tonë.
“Ky vlerësim është dëshmi e progresit që ka arritur Republika e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të qëndrueshme. Është reflektim i përkushtimit të institucioneve tona dhe besimit të qytetarëve në një të ardhme ku rendi, ligji dhe siguria mbeten themele të shtetit tonë.
E natyrisht ky rezultat na inkurajon edhe më shumë”, ka thënë Ministri Sveçla.