Ministria e Arsimit merr vendim që të mbahet mësim plotësues për nivelin parauniversitar

20 Prill, 2021 - 8:26 pm

Ministria e Arsimit, Shkencës e Inovacionit ka marrë vendim që të organizohet mësim plotësues nga 3 maji, i cili do fillojë implementimin në nivelin e Arsimit Parauniversitar.

Kështu ka bërë të ditur vetë ministrja e MASH’it, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook.

“Nga vlerësimi i gjendjes kemi marr vendim për organizimin e mësimit plotësues që do të implementohet për nivelin e Arsimit Parauniversitar. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të dorëzojnë në Inspektoratin e Arsimit planifikimet e shkollave për mësimin plotësues deri me datën 28 prill 2021, ndërsa do të raportojnë dy herë brenda muajit për mbarëvajtjen e mësimit plotësues”, shkruan ndër të tjera Nagavci në postim.

Mësimi do të organizohet në këtë mënyrë:

– Për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (klasa I-V), mësimi plotësues do të organizohet në lëndët e gjuhës amtare dhe matematikë, ndërsa

– Për nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX) dhe të arsimit të mesëm të lartë (X-XII), mësimi organizohet në lëndët e gjuhës amtare, matematikë dhe shkenca natyrore.

Nagavci theksoi se “Mësimi plotësues fillon nga data 3 maj 2021 në objekte shkollore dhe vazhdon deri në përfundim të vitit mësimorë 2020-2021. Mësimi plotësues është një prej mundësive që do të lehtësojë humbjen e mësimit, përshpejtimin e të nxënit dhe përmirësimin e rezultateve të nxënësve. Në këtë vit të pazakontë me pandeminë, sfida kanë qenë të shumta për të gjithë. Edhe angazhimi e puna për të tejkaluar sfidat e ecur përpara duhet të jetë e madhe e nga të gjithë, për të gjithë”./ KultPlus.com

Të ngjajshme