6 Shtator, 2025 - 8:15 pm
Pas vendimeve të mëparshme të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për suspendimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, duke lënë në fuqi ndalimin e punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush”.
Në vendimin e saj, Gjykata ka theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është interes publik dhe se të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguara të respektojnë ligjin dhe të pajisen me autorizimet e nevojshme nga autoritetet kompetente.
Ministria e Kulturës ka njoftuar që që nga fillimi ka ofruar udhëzime dhe rekomandime profesionale për projektin e sheshit, duke ftuar Komunën të veprojë në përputhje me ligjin. Sipas Ministrisë, Komuna ka zgjedhur një qasje arrogante dhe shpërfillëse, duke injoruar ligjin dhe interesin publik.
Ministria i bën thirrje edhe një herë Komunës së Prishtinës të respektojë ligjshmërinë, transparencën dhe të trajtojë trashëgiminë kulturore me kujdesin që meriton. /KultPlus.com