Ministrja Dumoshi takohet me rininë në “Debat n’Shilte”: Kosova pasurinë më të madhe e ka rininë

17 Shtator, 2020 - 2:39 pm

Tubimet publike nuk u organizuan që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë. Mirëpo, Parku i Qytetit kësaj radhe tuboj ministren për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshin në “Debat n’Shilte” me të rinj nga organizata të ndryshme për të diskutuar për sfidat e rinisë në kohën e pandemisë, shkruan KultPlus.

Në një atmosferë të këndshme parku u bë bashkimi i të rinjve nga organizata, kuvende e qendra rinore nga qytete prej gjithë Kosovës bashkë me ministren Dumoshi, zëvendësministren Engelbert Zefaj dhe drejtorin e Departamentit për Rini, Xhevat Bajrami.

Krerët e institucionit vendimmarrës për rini, kulturë dhe sport, nën organizimin e kësaj të fundit dhe OJQ “Together Intiaitve for Progressgether”, diskutuan për sfidat e rinisë në kohë të pandemisë, mbështetja nga Ministria për ta, synimet, objektivat dhe planifikimet e të dy palëve.

Ministrja Dumoshi në fjalën e saj hyrëse në këtë debat u shpreh se ndjehej e lumtur që ishte me ta.

“Ta fillosh ditën me rini është gëzim që e shohim një të sotme dhe një të ardhme shumë të ndritur sepse Kosova pasurinë më të madhe ju ka juve”, iu drejtua Dumoshi rinisë.

Ndër të tjera, ministrja Dumoshi përmendi Projektin e Ndërmarrësisë, në të cilën kanë aplikuar 1000 të rinj, 400 prej tyre janë përzgjedhur për të vazhduar me trajnime për ndërmarrësin, të cilët më vonë mund të aplikojnë në MKRS me ide biznesi.

“I kemi paraparë 400 të rinj t’i bëjmë ndërmarrës të rinj, që ta marrin këtë trajnim dhe të kthehen me një plan biznesi të tyre të hartuar. Të konkurrojnë dhe të marrin grante nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, theksoj Dumoshi teksa tregoj se ky projekt do të zgjerohet edhe më shumë.

Përveç tjerash, Dumoshi shtoj tutje se buxhetin prej 1 milion e 500 mijë euro të Departamentit të Rinisë do ta ndajnë për të siguruar punësim të të rinjve të cilët janë të regjistruar në zyrën e punësimeve, duke i dërguar ata të punojnë në organizata dhe institucione të ndryshme.

“Këta të rinj do të bëhen pjesë e organizatave të ndryshme, të punojnë, ku do të ju ndihmojmë financiarisht, do ta kenë pagën e tyre”, u shpreh Dumoshi.

Përgjatë diskutimeve në “Debat n’Shilte”, Dumoshi theksoj së është duke u bërë hartimi i Ligjit për Rini në bashkëpunim me Ministrinë dhe organizatat e ndryshme. Tutje ajo theksoj se janë duke u bërë ndërhyrjet e nevojshme të cilat kanë ardhur si kërkesë nga shoqëria civile.

Kësisoj, mosha e paraparë si i ri sipas këtij ligji do të jetë nga 15 deri në 29 vjet si dhe vullnetarizmi do të njihet si përvojë pune. Poashtu, Dumoshi premtoj që ky projektligj do ta ketë edhe pjesën e diskutimit publik nëpër Komuna të ndryshme të Kosovës.

Për fondin emergjent 5 milionësh, u tha se janë në pritje nga Ministria e Financave. Ndërkaq njëri nga organizatorët, Egzon Pacolli për KultPlus theksoj se ky aktivitet është organizuar për rininë në mënyrë që të dinë të përballen me institucionet.

“Ky diskutim është bërë që t’i vetëdijësojmë të rinjtë. Të tregojmë se cilat janë sfidat e të rinjve dhe çka presin ata nga Ministria. Sot po besoj që ky aktivitet ka ndikuar pozitivisht, po e presim rezultatin”, theksoj drejtori i OJQ-së “Together Intiaitve for Progressgether”.

Në fund, të gjithë të pranishmit bënë fotografi së bashku dhe kaluan momente të mira në koktej në Parkun e Qytetit të Prishtinës. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme