Ministrja Dumoshi vizitoi Klinën dhe Mozaikun e Dresnikut

17 Shtator, 2020 - 3:47 pm

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zv. ministri Engelbert Zefaj, në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë vizitoi sot Komunën e Klinës.

Në Klinë ministrja Dumoshi dhe bashkëpunëtorët u mirëpriten nga kryetari i Komunës Zenun Elezaj, i cili e falënderoi ministren që ka vendosur Klinën në agjendën e saj të këtyre ditëve me rëndësi të trashëgimisë kulturore.

Ministrja e njoftoi kryetarin që do të mundohet që si drejtuese e MKRS-së të mbështesë Klinën në projekte që lidhen me fusha të tjera meqenëse kanë munguar investimet e ministrisë në këtë Komunë.

“Të jem e sinqertë MKRS, nuk ka shumë investime në Komunën e Klinës, të cilat konsideroj që janë shumë të nevojshme dhe për të cilat i diskutuam edhe me kryetarin. Kam hasur që komuna e Klinës pothuajse fare nuk është e mbështetur nga Ministria, mirëpo kjo do të ndryshojë me projektet e ardhshme të cilat patjetër që do t’i mbështesim.”- theksoi ministrja.

Ministrja Dumoshi dhe Kryetari Elezaj vizituan bashkë edhe stadiumin e qytetin të cilin Ministrja Dumoshi tregoi që MKRS do ta pajisë me 1500 ulëse.

Në Klinë ministrja Dumoshi vizitoi edhe Dresnikun aty ku ndodhet një nga gjetjet më të bukura e më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë – mozaiku shumëngjyrësh i Dresnikut.

MKRS, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Komuna e Klinës në partneritet me organizatën European Heritage Volunteers po zhvillojnë aktivitetin e gjurmimit të mëtejmë të Mozaikut të Dresnikut.

MKRS ka mbështetur financiarisht akomodimin e studentëve ndërkombëtarë të cilët do të gërmojnë, pastrojnë e konservojnë mozaikun nën mbikëqyrjen e arkeologut Elvis Shala. Studentët ndërkombëtarë vijnë nga SHBA-të por edhe nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën si Spanja, India e Sllovakia.

Ministrja theksoi që kjo është një dëshmi që trashëgimia jonë kulturore është aq e pasur sa ka nxitur interesimin e të huajve dhe ekspertëve të trashëgimisë.

“Përmes afirmimit të trashëgimisë tonë të pasur kulturore kontribuojmë që diplomacia kulturore të shërbejë për njohjen e shtetit të Kosovës nga ato vende që akoma nuk na kanë njohur si shtet.” – theksoi ministrja./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme