Ministrja franceze e Kulturës viziton Tiranën, marrëveshje në fushën e kinematografisë

18 Tetor, 2023 - 12:16 am

Për herë të parë një ministre Kulture e Republikës së Francës viziton Shqipërinë. Ministrja Rima Abdul-Malak u prit nga homologia e saj, Elva Margariti dhe në qendër të bisedimeve ishte forcimi i marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve, duke u ndalur veçanërisht në fushën e arkeologjisë, në rrjedhën e raporteve historike dhe bashkëpunimeve frytdhënëse, që me Leon Rayn, për të vijuar me Pierre Cabane dhe ekipe të tjera që kanë zhvilluar ekspedita gërmimi dhe studimi në Shqipëri.

Si një nga fushat ku bashkëpunimet dypalëshe po njohin një rritje të vazhdueshme është edhe baleti, duke marrë si shembull Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor, i cili në edicionin e tij të dytë dëshmoi që ka potencial për t’u zgjeruar edhe me të tjerë bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, duke shtuar jo vetëm shfaqjet, por duke u kthyer në një shkollë të vërtetë, ku të japin masterclasse mjeshtërit e baletit.

Ministret janë ndalur pak më gjatë te kinematografia, një fushë tek e cila shihet shumë potencial zhvillimi.

“Ky është edhe qëllimi i marrëveshjes dypalëshe që lidhim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të Francës, që do të ofrojë asistencë për hartimin e Ligjit për Kinematografinë, mundësi trajnimi për kineastët e rinj, për të shkuar drejt bashkëprodhimit”, u shpreh ministrja Margariti.

Së bashku edhe me koreografin Angjelin Preljocaj, ministret vizituan Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku asistuan edhe gjatë provave të trupës sonë të baletit nën drejtimin e koreografit Benard Azizaj; vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” dhe zhvilluan një takim me kineastë, ku së bashku me presidentin e CNC Boutonnat iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve rreth bashkëpunimeve të ardhshme mes Francës dhe Shqipërisë në fushën e kinematografisë, duke përfshirë edhe marrëveshjen dhe ndryshimet në ligj. /KultPlus.com

Të ngjajshme