Miratohet harta e ndarjes së vijës bregdetare, Klosi: Fieri, potenciale turistike të pashfrytëzuara ende

26 Shkurt, 2020 - 11:59 am

“Fieri i ka të gjitha shanset për të zhvilluar një ofertë turistike të mirë pasi ka arkeologji, plazh masiv dhe festa lokale”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

I pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Fierit, ku u miratua harta e vijës bregdetare sipas plazheve në përputhje me një paketë turistike për zonën ku përfshihet turizmi arkeologjik, natyror dhe detar.

Klosi tha se “është e patolerueshme që Fieri të mos ketë agroturizëm të zhvilluar”. “Ka potenciale ende te pashfrytëzuara në turizëm. Këtë pasuri të madhe kombëtare duhet ta ruajmë në mënyrë patriotike dhe ta kthejmë në ekonomi për shoqërinë”, tha Klosi.

Më herët në mbledhjen e Komitetit të Turizmit për Rajonin e Fierit, Klosi kërkoi miratimin e hartës së plazheve, duke theksuar ndarjen 20 % publik dhe 80% privat, në mënyrë që të gjithë pushuesit të kenë mundësi të pushojnë në vijën bregdetare.

“Sipas VKM-së brenda muajit mars duhet të ketë përfunduar ndarja e vijës bregdetare të hapësirës për operatorët turistik. Tre janë kushtet që duhet të plotësojnë. Krijimi i kushteve të higjienës që ka të bëjë me krijimin e sigurisë në plazhe, vendosjen e rojeve bregdetare për të siguruar jetën e pushueseve, caktimin e  zonave të lundrimit të mjeteve të shpejtësisë”, tha Klosi.

Ai tha se “vija bregdetare i takon gjithë qytetarëve dhe të ardhurat e siguruara nga mbledhja e taksave do të investohen në turizëm dhe në mbajtjen pastër të ambientit”.

“Aq më tepër që Fieri ka dhe landfilldin e vetë”, theksoi Ministri Klosi. Ministri kërkoi ndërmarrjen e një aksioni në muajt shkurt-mars, në mënyrë që të jemi gati për çeljen e sezonit turistik në prill.

Një çështje tjetër është formalizimi i bizneseve në fushën e turizmit. Klosi tha se “për këtë arsye ka nisur procesi i certifikimit të kategorizimit”. “Deri në fund të muajit mars, të gjitha subjektet turistike duhet të kenë përfunduar aplikimin. Sipas ligjit të qeverisë Rama subjektet do të përfitojnë 6 për qind ulje të TVSH-së”, tha Klosi. /atsh / KultPlus.com


Të fundit

Të ngjajshme