Misteri i letrës që Valbona Marku ia dorëzoi shtetit por u shpërfill nga prokuroria e gjykata

18 Shtator, 2020 - 11:29 pm

Jeta e një nëne së bashku me fëmijun e saj vlenë vetëm 24 vjet e gjashtë muaj burgim. Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Gjakovë që të denojë Pjetër Ndrecajn, i cili në gushtin e vitit 2018-të ua morri jetën gruas dhe vajzës së tij nëntë vjecare, duke rrezikuar një familje të tërë në momentin që kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, në një hapësirë më të vogël se 100 metra katror.

Por, vrasjen e saj e kishte parandjerë edhe vetë Valbona Marku Ndrecaj, prandaj edhe pretendohet se ajo kishte shkruar një letër me një përmbajtje shumë të ndjeshme për të bëmat e burrit të saj. Atë letër, dyshohet se e ndjera e ka dorëzuar në katër stacione policore në regjionin Gjakovës.

Emisioni “Udhëve”, ka siguruar atë letër, të cilën edhe e ka paraqitur në emison me datën 30 nëntor të viti 2018-të. Në të ka disa informata, se Pjetri kishte lidhje me zhdukjen e disa personave, për të cilët Valbona e dinte, ndërsa ato që janë shkruar në letër mund të jenë edhe shkaku që ajo u vra nga Pjetri.

Kjo letër për shkak të ndjeshmërisë së asaj që është shkruar, nuk do të paraqitet e plotë në publik as në këtë emision.

Aty përveç tjerash thuhet edhe kështu: “Dëshmin teme e keni me shkrim në katër vende të ndryshme edhe nëse unë nuk kom me kanë e nuk kanë mem gjet, e keni dokumentin të vulosur në Polici”, thuhet në përfundimin e letrës së Valbonës.

Për këtë letër, nuk kishte njohuri në atë periudhë Prokuroria në Gjakovë e cila nuk e ka përfshirë as në aktakuzën për vrasje të Valbonës. Në atë aktakuzë, gjithashtu askund nuk ceket motivi i vrasjes së Valbona Marku Ndrecajt si dhe vajzës së saj Klara Ndrecaj.

Këtë letër me 25 shkurt të vitit 2019-të, pas transmetimit të emisionit të dytë të Udhëve “Letra e Valbones”, kanë ardh edhe nga hetuesia e Gjakovës që ta marrin dhe të fillojnë hetimet për të.

Në njërën nga seancat gjyqësore në rigjykimin ndaj Pjetër Ndrecajt, avokati i familjes Marku, ka propozuar që letra e cila pretendohet se është shkruar nga Valbona të jetë pjesë e rigjykimit.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Arsyen e kësaj nuk kanë pranuar që ta tregojnë Gjykata Themelore e Gjakovës përmes një emaili.

“Ju shkruaj lidhur me pyetjet tuaja që na keni drejtuar për rastin e P. N. Të gjitha përgjigjet që i keni parashtruar do të mund ti merrni pasi gjykata ta ketë përpiluar aktgjykimin në formë të shkruar. I njëjti do të publikohet në ueb faqen e Gjykatës Themelore të Gjakovës dhe do mund të kenë qasje të gjithë të interesuarit”, ka thënë përmes emailit Lekë Muqaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Por, ekzistencën e kësaj letre e ka pranuar edhe Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Përmes një bisede telefonike të realizuar me Ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ai thotë se të gjitha të gjeturat e tyre janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, në departamentin për Krime Lufte, pasi që bëhet fjalë për persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjithashtu, ai thotë se një kopje e letrës është gjetur edhe në njërin nga stacionet Policore, kurse për personat e zhdukur te cilët përmenden në letër, është hetuar nga njësia e hetimeve dhe kanë rezultuar si të tillë. Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës përmes emailit që na kanë kthyer, e kanë pranua ekzistencën e kësaj letre por nuk kanë pranuar të japin më shumë informata në lidhje me të. EMAIL- Prokuroria Speciale.

“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), është në dijeni në lidhje me letrën në fjalë, mirëpo për të mos dëmtuar hetimin nuk mund të japim më shumë informata”, ka thënë për emisionin Udhëve, Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Familjarët e Valona Markut janë të bindur se atë letër e ka shkruar motra e tyre, e që si shkak i njohurive që kishte Valbona në lidhje me burrin e saj, u bë në fund edhe viktimë e tij, së bashku me vajzën.  / KultPlus.com

Të ngjajshme