Mitrush Kuteli “Nderi i Akademisë”, Gjinushi: I la trashëgimi të pasur qytetërimit shqiptar

9 Korrik, 2022 - 5:39 pm

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi i akordoi Dhimitër Paskos “Nderi i Akademisë”.

Diplomën ia dorëzoi së bijës Atalanta Paskos në konferencën shkencore “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” që u mbajt sot më 8 korrik 2022.

Në vlerësim të kontributit të madh të Mitrush Kutelit në fushën e letrave, juria e posaçme, e përbërë nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe kryetarët e komisioneve të përhershme,  bazuar në propozimin e njëzëshëm të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, vendosi t’i akordojë Dhimitër Paskos mirënjohjen publike më të lartë që jepet nga ky institucion, “Nderi i Akademisë”, me motivacionin: Shkrimtar me veprimtari krijuese origjinale në prozë dhe poezi; një ndër themeluesit kryesorë të prozës moderne shqiptare; mjeshtër i ligjërimit e rrëfimit, fantazisë dhe së magjishmes; krijues e rikrijues virtuoz mbi bazën e motiveve tradicionale të botës shqiptare; shqipërues i kryeveprave botërore dhe pasurues i gjuhës shqipe; publicist e mendimtar kritik; studiues me vepra të suksesshme në disa fusha të dijes; veprimtar gjurmëlënës në rrugën e përparimit shoqëror e qytetar të vendit.

“Nuk kanë të numëruar e të përshkruar veprat që Mitrush Kuteli i la trashëgim qytetërimit shqiptar, madje, disa prej tyre nuk njihen ende as nga vetë studiuesit. Kjo jo vetëm për shkak të karakterit shumë-përmasor të krijimtarisë së tij, por edhe për shkak të një të vërtete tjetër: sepse shoqëria shqiptare, institucionet e saj, midis tyre edhe Akademia jonë e Shkencave, Kutelit e krijimtarisë së tij i janë kushtuar pak, shumë herë më pak se e meritonte, për të ndriçuar si figurë e si vepër, duke i mbetur ende borxhlinj”, deklaroi Gjinushi.

Vajza e Dhimitër Paskos, Atalanta Pasko, falënderoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave. Gjinushin dhe tha se ky është një vlerësim i merituar dhe që ka qenë i munguar, sepse Akademia e Shkencave ka një dimension tjetër, ky është dimensioni i mendjes.

Gjithashtu, Akademia e Shkencave i dhuroi familjes së Mitrush Kutelit dorëshkrimin “Diario di Banca Nazionale Albanese” (Ditari i Bankës Kombëtare Shqiptare).

Ditarin ia dorëzoi Pandeli Paskos, të birit të Dhimitër Paskos, akademiku Anastas Angjeli në konferencën shkencore “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” që u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ditari hedh dritë në profilin e Dhimitër Paskos si bankier me kontribut të lartë në një periudhë shumë të vështirë, kur sapo kishte kapitulluar Italia fashiste, forcat naziste nuk kishin akoma nën kontroll territorin dhe forcat nacionaliste përpiqeshin të kishin kontroll mbi territore të caktuara.

Angjeli që mbajti kumtesën “Kuteli jo vetëm shkrimtar, por edhe ekonomist-bankier të dhëna të reja nga Diario di Banca Nazionale” tha se Ditari i Bankës Kombëtare Shqiptare, shtator 1943-tetor 1944, është një vepër shumë pak e njohur për opinionin publik dhe shkencor ekonomik.

Përveç arritjeve dhe vlerave të shkëlqyera në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare; Kuteli ka shkëlqyer edhe në një fushë tjetër të paeksploruar shumë, si bankier-ekonomist.

Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) u diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

Angjeli tha se ditari i Direzione Centrale, në mënyrë skrupuloze sjell shënime dokumentative të periudhës, sjell opinione të drejtuesve të saj mbi situatat monetare, sjell qëndrimet e qeverisë së Rexhep Mitrovicës në lidhje me bankën dhe situatat monetare të kohës.

“Roli dhe kontributi i dr. Dhimitër Paskos, është i qartë dhe i admirueshëm në lidhje me politikat monetare që duhet të ndiqen, duke iu rezistuar presioneve të shumta që vinin nga gjithë aktorët ushtarakë, politikë, diplomatikë. Ruajtja e pavarësisë së Bankës Nacionale, nga këto ndikime shpesh dukej një mision i pamundur, duke vënë në provë edhe qëndrimin apo jo në detyre të drejtuesve të saj për të mos marrë vendime në dëm të interesave të Bankës dhe të Shtetit të brishtë Shqiptar. Në një  kohë kur ishte në tavolinë dhe shtetëzimi i Bankës Kombëtare dhe kalimi në duart e shtetit shqiptar, është pothuajse gjenial kujdesi që ka Dhimitër Pasko për të ruajtur ekuilibrat financiarë, jo të një periudhe të shkurtër, por në një plan afatgjatë, duke dëshmuar dhe njëherë njohuritë e tij të thelluara, koherencën, largpamësinë”, tha ai.

Ndërsa portreti i Mitrush Kutelit (Dhimitër Paskos), i punuar nga piktorja e njohur Meri File iu dhurua Akademisë së Shkencave nga  Ilir Xhakolli, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit .

Dorëshkrimi i veprës së Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit” iu dhurua nga familja, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme