“M’ka rreh dhe m’ka thanë të qes prej shpisë”, pjesë nga dokumentari që rrëqeth

3 Dhjetor, 2019 - 10:35 pm

Qendrim Badalli

“M’ka rreh dhe m’ka thanë të qes prej shpisë”, ishte një nga fjalitë në rrëfimet tronditëse të dokumentarit “Not Your Property” pas të cilit u zhvillua një debat rreth tij dhe rreth gjendjes në Kosovë, që flet mbi dhunën ndaj grave e që u shfaq në Kino Armata, nën organizimin e organizatës SIT si dhe me mbështetjen nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shkruan KultPlus.

Dokumentari në fjalë shfaqi storie shumë të rënda të grave nga të gjitha grupet etnike që janë divorcuar apo abuzuar në forma të ndryshme në baza gjinore, nën një qetësi që më shumë ishte shprehje e keqardhjes për atë çfarë po shikohej e dëgjohej, dokumentar që u përcoll me tingujt e këngës “Heshtja e këngës” nga Eliza Hoxha, që edhe më shumë i rriste emocionet gjatë dokumentarit.

Ky organizim i sotëm u zhvillua në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizimit” dhe që ka për synim avokimin e çështjeve gjinore që edhe më tutje mbesin problematike për shoqërinë dhe shtetin tonë.

“Shuplaka është mjet edukues” kishin thënë 65% e të rinjëve në një hulumtim, e dhënë kjo që po jepej me shqetësim nga moderatori në panel. E dhënë e mjaftueshme për çështjen në fjalë.

Në panlelin diskutues, ishin dy aktivistë burra, që punojën për barazi gjinore, për të dhënë edhe një mesazh më të fuqishëm për kauzën e barazisë gjinore, Korab Jaha dhe Rron Rama.

Rron Rama, duke e komentuar dokumentarin që u dha para debatit ka thënë se ky moment tregon që rrëfimet që i kemi të dëgjuara nuk janë thjeshtë tregime por edhe një realitet.

“Për mua është hera e tretë që po e shikoj këtë dokumentar dhe më ka prekur shumë, për këto histori që ndoshta deri vonë kemi menduar se vetëm përmenden por që nuk ekzistojnë në realitet, por tashmë po e shohim me fakte se këto përnjëmend ndodhin”, ka thënë ai.

Duke folur për mundësinë e ndryshimit të kësaj gjendjeje, aktivisti i ri Rama ka thënë se duhet të kalojmë nga një qasje teorike në atë praktike.



“ Së pari ndryshimi nis nga familja jonë, nga rrethi jonë. Unë mendoj që mënyra më e mirë për me e luftu një sistem të keq është kur e sfidojmë me një sistem të mirë, unë mendoj që sa më shumë duhet ti vetëdijesojmw me shembuj të mirë dhe jo vetëm të ju përmendim teori. Kosova njihet si një shtet që i ka disa ligje të mira, por sa i respektojmë ato është çështje tjetër”, ka vazhduar ai.

Aktivisti tjetër, Korab Jaha, duke komentuar gjendjen e dhunës në shoqërinë tonë në rrafshin gjinor ka analizuar në nivel sjelljesh brymosjen e pabarazisë gjinore tek ne.

“Shumica e djemve prej vendit ku janë rritë, prej ambientit dhe shtëpisë ku jetojnë i marrin disa direktiva që djemtë kanë me fol, motra ose nana duhet me ja u dërgu ujin, motra duhet me ja leshu kompjuterin etj, djemtë munden me dalw pa e pyet askënd, ndërsa çikat nuk e kanë pasë këtë liri. Nëpër grupe me të cilat unë kam punuar kundër dhunës, edhe pse e dinë se kjo është diskriminuese, përsëri mbrohen duke thënë se kështu na ka mësuar shoqëria”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se pavarësisht punës së madhe, sërish ka ngecje në rezultate.

“Edhe pse jemi duke punuar shumë, nuk jemi duke arritur që t’i bindim të tjerët që ne jemi të barabartë, ndoshta sepse kjo mendësia patriarkale është shumë e rrënjosur tek ne”.

Aktivisti Jaha, e ka mbyllur fjalën e tij duke thënë se dhuna që shprehin, është sjellje e mësuar por edhe një plotësim i egos së atyre.

“Pa dyshim që një nga faktorët është edukata. Fëmijët mësohen nga sjelljet tona jo nga ajo se çfarë ne i themi të bëjmë, dhe normalisht është edhe ai plotësimi i egos që ti ke pushtet mbi dikë, kjo i shtynë burrat dhe djemtë e rijnë që e plotësojnë egon e vet përmes dhunës”.

Debati më pas ka vazhduar me një bashkëbisedim edhe me të pranishmit në publik të cilët patën një interesim të madh për të shprehur komentet e tyre rreth kësaj çështjeje. /KultPlus.com



Të ngjajshme