MKRS-ja shpall konkursin për mbështetjen e projekteve kulturore

28 Janar, 2020 - 10:46 pm

Me shtatëqind mijë euro, Ministria e Kulturës pritet që këtë vit t’i përkrah projektet artistike të skenës së pavarur të vendit.

Të martën, zyrtarisht Ministria e Kulturës, ka hapur konkursin për mbështetje financiare publike për projektet kulturore të viti 2020.

Jehona Shyti nga departamenti i Kulturës në MKRS, e ka konfirmuar për KTV-në se me anë të këtij konkursi Ministria fton organizatat joqeveritare dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës që të aplikojnë për mbështetje, raporton “Express” i KTV-së.

Konkursi për mbështetjen financiare të projekteve kulturore do të jetë i hapur deri më 17 shkurt të këtij viti.

Shuma mbështetëse financiare për projektet e organizatave joqeveritare mund të jetë maksimum deri në njëzet mijë euro, ndërkohë për individët deri në pesëmijë euro.

Mënyra e vlerësimit nga ana e MKRS-së rreth përkrahjes financiare të projekteve kulturore në vazhdimësi është kritikuar nga skena e pavarur kulturore.

Ministri në detyrë, Kujtim Gashi, vitin e kaluar kishte deklaruar se projektet e pavarura kulturore nga ky konkurs kanë mbështetje të madhe financiare.

Buxheti i Ministrisë për përkrahjen e skenës së pavarur ka rënë vazhdimisht.

Në 2019, projektet e kulturës nga skena e pavarur ishin mbështetur me afro një milion euro, ndërsa gjatë vitit 2018 buxheti arrinte gati 1.5 milionë.(Koha Ditore) /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme